Kanë mjaftuar 90 minutat e para të kampionatit për të dhënë një vlerësim për mesfushën e Vllaznisë. Një mesfushë “e bukur” me lojtarë që dinë të luajnë bukur futboll. Kjo natyrisht falë aftësive dhe dhuntive që disponojnë futbollistë të tillë si Erjon Vucaj, Gilman Lika dhe Edon Hasani. Por në fakt njëri prej protagonistëve të kësaj treshe, mendon ndryshe. Ndoshta edhe për t’u treguar modes.
I pyetur në lidhje me “Vllazninë e bukur” të këtij sezoni, ai shprehet: “Vllaznia gjithmonë ka qenë e bukur. Thjesht ndoshta mund të ketë qenë një problem psikologjik tek futbollistët. Mjafton t’i referohemi ndeshjeve të sezonit të kaluar kur ata kanë zhvilluar ndeshje shumë të bukura, si me Skënderbeun ashtu edhe me Kukësin e Partizanin. Sportistët në momente të caktuara nuk kanë ditur të shprehen ashtu si duhet dhe unë shpresoj që këtë vit të jetë më ndryshe”. Ndërkohë, pyetja tjetër ka qenë ajo nëse është i lumtur me këtë rikthim tek Vllaznia dhe përgjigja e Vucajt ka qenë e tillë: “Besoj se është kënaqësi e madhe jo vetëm për mua, por edhe për çdo shkodran tjetër, madje do të thosha edhe për çdo shqiptar sepse nuk është gjë e vogël që të jesh pjesë e Vllaznisë. Unë do ta quaja privilegj veshjen e fanellës së kësaj skuadre për çdo futbollist”.
© shkodrasport.com