Sfidat e kombëtares shqiptare do t’i lënë vendin ndeshjes së Ligës Ballkanike në mes Vllaznisë dhe Pejës që do të zhvillohet pasditen e sotme në orën 18.00 në Shkodër.

Në prag të këtij takimi, trajneri Darko Vujaçiç, në një prononcim për mediat është shprehur se skuadra e tij ka ndryshuar shumë dhe do të synojë fitoren ndaj këtij kundërshtari dhe po ashtu ka premtuar se edhe për dy ndeshjet e ardhshme për kampionat, me Partizanin dhe Tiranën, objektivi do të jetë vetëm fitorja.

“Në ndeshjen e kaluar që kemi luajtur me Pejën, ajo kishte një grup lojtarësh më të mirë se ne dhe prandaj na mundi, ndërsa në këto momentet që po flasim, ne kemi një grup më të mirë se ky kundërshtar dhe më të përgatitur se ato. Peja dhe Akademik janë ekipet favorite për të fituar sivjet Ligën Ballkanike, por kjo gjë nuk na pengon ne të kërkojmë fitoren nesër.

Duhet të tregojmë lojë të mirë në mbrojtje por edhe në sulm ashtu siç jemi përgatitur gjatë kësaj periudhe. Vllaznia nuk do të dorëzohet në Ligën Ballkanike dhe do të synojmë fazën e plej-ofit.

Por fokusi jonë siç dihet është i përqendruar në kampionatin shqiptar dhe prandaj do t’i marrim sfidat një e nga një duke u përqendruar fillimisht tek Partizani që ka një ekip të mirë por ne na duhet të fitojmë ndaj tij. Vllaznia ka objektivi të fitojë titullin kampion dhe do ta tentojë këtë deri në fund, kuptohet duke patur edhe mbështetjen e tifozëve tanë.”
www.shkodrasport.com