Malazezi i portës shkodrane, Mirosllav Vujadinoviç, ka qenë pa dyshim një nga më të mirët në takimin e fundit me Besën. Ndërhyrjet e tij decizive bënë që shkodranët të merrnin një pikë mjaft të vlefshme përballë një rivali direkt në luftën për mbijetesë siç është Besa. Në fakt, Vujadinoviç ka qenë i kritikuar për lojërat e tij jo në nivelin e duhur në disa takime, por mesa duket ky ka qenë një shpërblim që ka bërë në momentin e duhur. Në një bisedë për gazeten, portieri i Vllaznisë, Mirosllav Vujadinoviç, është shprehur tepër i kënaqur me atë që kanë arritur përballë kavajasve, por dhe me lojën e treguar nga vetë ai.

“Ishte një pikë e artë për ekipin tonë. Nuk kam menduar asnjëherë se kush do të jetë heroi i ndeshjes, mjafton që ne të merrnim më të mirën. Jam tepër i kënaqur që kam justifikuar në mënyrën më të mirë të mundshme punën time. Kam bërë detyrën për t’i shërbyer kësaj skuadre në këto momente, edhe pse kam sakrifikuar për të qenë në portë. Gjithsesi, më vjen mirë që tani kjo sakrificë nuk po na shkon dëm. Si çdo futbollist kam pasur momentet e mira dhe të këqija. Mirëpo, mund të them se në një takim të tillë kaq deciziv isha në më mirën time. Megjithatë, të gjithë pa dyshim bënë një paraqitje për t’u vlerësuar dhe jo vetëm Vujadinoviç. Djemtë kanë dhënë maksimumin në këto përballje dhe kemi arritur të marrim atë që kemi dashur. Ka qenë një javë e vështirë, por në fund mund t’ju them se ka qenë pozitive për ne”.
Vazhdimësia Vllaznia, edhe pse ka bërë një hap përpara drejt qëndrimit në Kategorinë Superiore, sërish nuk mund të quhet matematikisht e mbyllur, ndërsa i duhet edhe një pikë. Një gjë të tillë e ka pranuar edhe gardiani i shkodranëve, Vujadinoviç, teksa shprehet: “Mendoj se pothuajse jemi të shpëtuar. Them kështu, pasi matematika përsëri na mban në lojë. Mirëpo, të jemi të gjithë të sinqertë: në këtë takim të fundit do të thosha që jemi të mbijetuar edhe pa e luajtur atë. Megjithatë, tashmë na duhet të marrim të paktën edhe një barazim në sfidën e fundit për këtë sezon ndaj Teutës. Ne duhet ta vlerësojmë maksimalisht dhe vetëm pas këtij 90- minutëshi të festojmë krejt ndryshe nga sezonet e tjera që jam pjesë e Vllaznisë, qëndrimin në elitën e futbollit shqiptar”.
E ardhmja Për malazezin e portës shkodrane, Vujadinoviç, ky ka qenë viti i katërt që ka mbrojtur fanellën kuqeblu. Mirëpo, duket se ai nuk do të jetë më përsëri pjesë e kësaj skuadre. Luhatjet në këtë sezon të fundit duket se kanë lënë të pakënaqur tifozërinë e Vllaznisë që, herë pas here, ka vënë gishtin e fajit edhe mbi malazezin e portës. “Nuk di çfarë t’ju them sa i përket vazhdimësisë sime me Vllazninë. Natyrisht që kam oferta nga klubet e tjera, por do të shikoj gjithçka me kujdes, sidomos pasi ta kemi mbyllur siç duhet këtë sezon. Te Vllaznia m’u bë një kohë e gjatë dhe nuk mund të them në asnjë moment i prerë, ‘PO ose JO’. Do të rishikoj të ardhmen”, – ka përfunduar portieri malazez i Vllaznisë, Mirosllav Vujadinoviç.
Admir URUÇI