Portieri i Vllaznisë Miroslav Vujadinoviç është prekur shumë nga gjesti i trajnerit Rudi Vata pas ndeshjes së fundit me Apoloninë teksa e ka vlerësuar atë si njeriun e ndeshjes dhe për rrjedhojë i ka dhuruar atij një orë dore. Malazezi nga Pogdorica e konsideron një dhuratë të çmuar atë dhe përveçse e mban vazhdimisht në dorë, e vlerëson shumë këtë gjest. “Për mua kjo orë vlen 1 milionë dollarë kaq të çmuar e quaj. E falenderoj shumë trajnerin Vata për këtë veprim dhe gjëra të tilla natyrisht që më shtyjnë të bëj më të mirën sërish për këtë skuadër”-ka thënë ai.

I ftuar në emisionin “Arena Sport” në ekranin e televizionit Rozafa, Vujadinoviç ka shprehur edhe momentet e vështira që ka kaluar përmes kritikash dhe akuzash. “I kam mirëkuptuar të gjitha kritikat që kanë ardhur në drejtimin tim. Secili sportist kalon edhe momente jo të mira dhe prandaj nuk jam shqetësuar shumë nga ato. Ndoshta nuk ka qenë një moment i mirë psikologjik sesa fizik megjithatë besoj se tashmë çdo gjë ka kaluar dhe po bëj të mirën për skuadrën”-ka thënë ai. Ndërsa në lidhje me takimin e rradhës për kampionatit, atë që do luhet të shtunën në “Loro Boriçi” ndaj Skënderbeut. Vujadinoviç beson tek suksesi edhe në këtë takim prandaj në fund do thoshte: “Unë besoj tek skuadra dhe mendoj se edhe me ndihmën e Zotit, do t’ia dalim me sukses edhe ndaj Skënderbeut. Mundësitë Vllaznia i ka, shpresojmë të kemi edhe fatin në anën tonë”.