Zbulohet arsyeja pse portieri malazez Mirosllav Vujadinoviç heziton të firmosë për klubin e Vllaznisë. Titullari i padiskutueshëm i portës kuqeblu nuk ka ndërmend të futet në bisedime zyrtare për rinovimin e kontratës pa marrë tri rroga të prapambetura që klubi i detyrohet nga sezoni i kaluar. Lajmin e ka konfirmuar vetë malazezi, nëpërmjet adresës së tij zyrtare në rrjetin social “Facebook”. I ngacmuar shpesh nga tifozët shkodranë, për të cilët ai është kthyer ndër futbollistët më të dashur, 30-vjeçari ka qenë i detyruar të sqarojë të ardhmen e tij. Ai ka shprehur dëshirën për të qenë pjesë e Vllaznisë edhe sezonin e ardhshëm, por ka theksuar edhe problemin e pagave.
Sqarimi “Unë do të shqyrtoj ofertën e Vllaznisë, pasi kam kaluar një periudhë të bukur me këtë skuadër, si dhe gjithashtu i respektoj shumë tifozët. Edhe pse nuk kam arritur të marr atë që kam dëshiruar, unë jam i gatshëm të vazhdoj të jem pjesë e ekipit edhe sezonin tjetër. Megjithatë, kjo do të shikohet më mirë, pasi të zgjidhet së pari çështja e rrogave të prapambetura. Unë nuk mund të futem në bisedime me drejtuesit e klubit për kontratën e re, pa u likuiduar më parë”, – ka bërë të ditur portieri malazez, i cili aktualisht ndodhet në vendlindje pranë familjes, duke shijuar pushimet. Për hir të së vërtetës, Vujadinoviç është një nga titullarët e sezonit të kaluar që drejtuesit e kanë në plane për të rinovuar kontratën. Presidenti Çela dhe trajneri Bushati kanë insistuar se malazezi dhe rumuni Dragoi do të rinovojnë, por ende marrëveshja mes palëve nuk është arritur. Momentalisht situata mbetet e “ngrirë” në klub.
Detyrimet Sipas drejtuesve të klubit, likuidimi i rrogave të prapambetura është thjesht çështje kohe. Pritet që Këshilli Bashkiak i Shkodrës të miratojë një fond shtesë, i cili do të shërbejë për likuidimin e të gjithë futbollistëve që nuk kanë marrë rrogat e muajve të fundit. Megjithatë, për Vujadinoviç dhe titullarë të tjerë kuqeblu, kjo çështje nuk duket se do të jetë e vetmja pengesë. Portieri, por gjithashtu edhe rumuni Dragoi, janë të joshur edhe nga ofertat e klubeve të tjera, pavarësisht se nuk e kanë mohuar dëshirën për të qenë sërish pjesë e Vllaznisë.
Admir URUÇI