Portieri malazez I  Vllaznisë Miroslav Vujadinoviç mund ta lërë këtë skuadër në janar. Ajo që kemi paralajëruar pak kohë më parë në gazetën tonë, është pranuar dje nga vetë ai. Në konferencën për shtyp të organizuar nga klubi shkodran, 29 vjeçari nga Podgorica I pyetur në lidhje me këtë çështje, ka thënë: “Po, është e vërtetë se kohët e fundit më kanë ardhur 2-3 oferta megjithatë ende nuk mund të them asgjë me saktësi. Duhen parë me hollësi këto oferta sepse duhet të jemi të kënaqur si unë ashtu edhe klubi Vllaznia, për të mbërritur deri tek një marrëveshje e mundshme”.

Këto fjalë I ka thënë para mikrofonëve të gazetarëve. Ndërsa në dalje nga ambjentet  e stadiumit, Vujadinoviç, I ngacmuar dhe më tej në lidhje me këtë temë, ka thënë: “Dëshira imë është të nis një përvojë të re. Kam kaluar dy sezone e gjysëm shumë të mirë këtu në Shkodër ku më kanë dashur dhe respektuar të gjithë por dëshiroj të provoj dhe një eksperiencë të re. Duhet parë sesa ofrojnë këto ekipe në anën financiare, nëse më kënaqin mua nga ana financiare por edhe klubin sepse siç e dini unë jam nën kontratë me të dhe në rast largimi, duhet të paguaj një dëmshpërblim”. Sa I takon emrave të ekipeve që e kërkojnë malazezin, ai nuk ka patur dëshirë t’I bëj publike ato. Por merret vesh se njëri nga këto ekipe është nga Polonia dhe një tjetër nga Çekia. Kjo gjithsesi duhet parë në vazhdim. Vujadinoviç ka kontratë me Vllazninë deri më 30 qershor 2013 dhe në rast largimi para kësaj kohe, ai duhet të derdhë në arkën e klubit një shumë në formë dëmshpërblimi, vlera e së cilës nuk është deklaruar. Në fakt, ish-portieri I Buduçnostit para se të vinte në Shkodër, tentoi edhe në fund të gushtit të largohej për në ndonjë skuadër tjetër dhe në atë periudhë, u tha se klubi I cili ishte I interesuar për të, ishte I gatshëm të paguante shumën e 50 mijë eurove për lënien e tij të lirë. Drejtuesit e Vllaznisë megjithatë nuk e lanë me pretekstin se kampionati ishte në prag dhe nuk kishin ku të gjenin një portier tjetër cilësor për ta zëvendësuar. A do ndodhë e njëjta histori edhe në janar? Për këtë duhet pritur.
Klubi. Drejtues të Vllazninë nuk e kanë shumë mendjen tek fjalët që thotë portieri. Kuptohet, kanë kontratën në dorën e tyre dhe meqë ajo është e vlefshme për deri në fund të qershorit të vitit të ardhshëm, sigurish që nuk ka se ku të shkojë. Miroslav Vujadinoviç është aktualisht futbollisti më I paguar tek Vllaznia teksa ka një kontratë prej 35 mijë eurosh në sezon. Nëse në verë ai mund të largohej nëse derdhte në arkën e klubit, për ta bërë këtë gjë në janar, vetëm 6 muaj para mbylljes së kontratës, ndoshta duke paguar 25-30 mijë euro, edhe mund të largohet. Por ana financiare nuk është gjithçka në këtë mes. Ajo që do vendosë është padyshim renditja e Vllaznisë në fund të fazës së parë. Nëse skuadra është pretendente për trofe, sigurisht që Vujadinoviç nuk do lejohet për t’u larguar në asnjë mënyrë. Mbase me këto pretendime edhe ai nuk do insistojë për t’u larguar.
Zëvendësuesi. Për momentin nuk ka asnjë emër që mund të qarkullojë si zëvendësuesi I tij I mundshëm nëse largohet në janar. Brenda kampionatit shqiptar është e vështirë të gjesh portierin e duhur në këto momente të sezonit. Kështu që, në portë, gjithnjë në rast largimi të Vujadinoviç, do jetë shqiptaro- malazezi Enis Gjokoviç. Ai ka dy sezone që është pjesë e skuadrës duke pritur momentin e tij por në fakt nuk ka patur rast të luajë shumë. “Vujke” gabon shumë pak dhe është gjithnjë në formë. Mundësia e vetme që 25 vjeçari nga Tuzi të luajë, është që kolegu I tij të gjejë një skuadër tjetër. Nëse ndodh kjo, atëherë në janar do të federohej me Vllazninë edhe Olti Bishani, ish-portier I saj që shtegtoi kohët e fundit në skuadra të ndryshme ndërsa prej disa ditësh ka filluar stërvitjen sërish me kuqeblutë.
Gjergj KOLA