Vushtrria është shpallur kampion dimëror në Ligën e Parë që zhvillohet në Kosovë, falë punës së palodhur dhe skemave të përgatitura nga trajneri i saj, Samuel Nikaj.

Nga Shqipëria…në Shqipëri, trajneri shkodran po bën atë që di më së miri: “Të marrë skuadrën nga liga e parë, e ta dërgojë në elitë”. Këtë gjë e ka bërë dy herë, një në Shqipërinë dhe një në Kosovë, dhe suksesin kërkon ta përsërisë sërish në Kosovë.

Në një intervistë për “Shqiperia.ch”, Nikaj ka bërë një rrëfim të gjatë, duke folur për vështirësitë që ka kaluar te Vushtrria, për mbështetjen e tifozëve dhe mënyrën e përjetimit të flamurit shqiptar në atë vend.

Njihesh si trajner i ngritjeve të skuadrave në elitë dhe më pas largimit. Me Vushtrrinë, si do të vijojë historia?

I saktë konstatimi. Në të dy rastet largimi ka ndodhur me pëlqimin e dy palëve. Mendoj që futbolli të konsumon më shpejtë se politika. Këtë herë e treta e vërteta dhe shpresoj të vazhdojmë bashkpunimin nëse e arrijmë objektivin që i kemi vendosur vetes.

Skuadra merr vendin e parë dhe shpallet kampion dimërore. Çfarë ambienti prisje fillimisht dhe si po shkojnë gjërat?

E dija që ambient i nxehtë është Vushtrria, por ishte dhe më i nxehtë se kisha pritshmëri të mëdha, pak durim mund ta përkufizoj . Nuk më kanë pritur me lule, madje një moment desh u dorëzova prej sulmeve të jashtme. Mbështetja e senatorëve në ekip dhe e kryesisë më bën të vazhdoj. Tani qoftë e kaluar, e shoh që në një farë mënyre janë penduar dhe unë i kam falur.

Vushtria është një tokë e bekuar për talente. Si është parë në syrin tuaj, a ka elemente që mund të hedhin hapa të mëdha?

Vushtrria është si Shkodra, minierë për talente. Ka nxjerrë emra te mëdhenj ndër vite dhe shpresoj të vazhdojë në këtë rrugë, pasi kam evidentuar 2 lojtarë që kanë për të ecur shumë në karrierë.

Largohesh nga Shqipëria, për në…Shqipëri. Sa diferencë ndihet mes së njëjtës trevë, por qyteteve të ndryshme?

Diferencat janë të vogla pasi në Shqipëri ka më shumë taktikë, ndërsa në Kosovë ka më shumë angazhim. E përgjithshmja është e njëjtë.

Dashurinë për flamurin shqiptar, e ke ndierë më tepër në Krujë ku ke qenë së fundmi apo në vendin ku ndodhesh aktualisht?

Po të flasim për flamur e për patriotizëm, Kosova është shumë më lartë se Shqipëria. Para çdo ndeshje, tifogrupet këndojnë himnin e Shqipërisë. Emocionuese besoj!

Një koment edhe për tifozerinë, që me parrullat e tyre janë kthyer në kryeqendrën e mediave sportive, sa i përket bashkimit kombëtar.

Tifozeria jonë “FORCA” është në vendin e parë në Shqipërinë etnike. Në ndeshjet tona të duket vetja si në Angli. Atmosferë fantastike dhe janë lojtari jonë i 12-të.

Gjëja me e veçantë që të ka rënë menjëherë në sy në futbollin e Kosovës?

E veçanta në Kosovë është te edukata sportive. Kam fatin që në ekip kam një lojtar të madh si Labinot Osmani. Golashënuesi më i mirë në Kosovë i tërë kohëra. Edhe pse 33 vjec dhe me atë karrierë që ka, nuk kërkon asnjë privilegj. I pari në stërvitje dhe i pari në sakrifica. Shembull për të rinjtë. Rasti tjetër është zv-kapiteni kampion me Trepcën-89 në Superligë, që është rikthyer për të ndihmuar qytetin. Shembull për t’u ndjekur, jam krenar që punoj me dy njerëz të tillë. /Klaudio Ndreca- Shqiperia.ch/