Një gol i shënuar nga Eugen Rafuna i ka mjaftuar ekipit të Vushtrrisë për të fituar edhe ndeshjen e rradhës, atë që ka luajtur sot në transfertë ndaj ekipit “Ramiz Sadiku”. Kjo ka qenë fitorja e gjashtë rradhazi për skuadrën e drejtuar nga trajneri shkodran Samuel Nikaj dhe tashmë ndodhet, të paktën për 24 orë në vendin e parë në renditje.

Një ecuri e shkëlqyer e këtij ekipi që duket në rrugë të sigurtë për rikthimin në Superligën e Kosovës. Fitorja e sotme ka qenë e rëndësishme sepse ishte një transfertë e vështirë megjithatë edhe pse e ngushtë me rezultatin 1-0, ajo ka patur një rëndësi shumë të madhe.

Besa e Pejës që është rivalja kryesore e Vushtrrisë, luan nesër ndeshjen e rradhës në transfertë me ekipin Arbëria. Faza e parë e kampionatit do të mbyllet javën e ardhshme teksa Vushtrria do të presë në fushën e saj ekipin e Onixit.

Dhe padyshim që do të kërkojë fitoren e shtatë rradhazi, në mënyrë që t’i bëjë një mbyllje ashtu si duhet këtij viti, duke shpresuar për të mbajtur edhe vendin e parë në renditje.
© shkodrasport.com