Pasditen e sotme Vushtrria ka marrë një tjetër fitore në kampionat, këtë herë ndaj një rivali direkt siç ishte Vëllaznimi i Gjakovës dhe vazhdon të kryesojë më meritë renditjen e kategorisë së parë të futbollit kosovar.

Skuadra e drejtuar nga trajneri shkodran Samuel Nikaj ka fituar me rezultatin 1-0 dhe me këtë trepikësh është ngjitur në kuotën e 38 pikëve dhe mban vendin e parë në renditje.

Ajo është e shkëputur tre pikë nga Besa e Pejës që mban vendin e dytë si dhe pesë pikë nga Dukagjini që mban vendin e tretë.

Fitorja e sotme ka qenë e shtata rradhazi për Vushtrrinë dhe jo më kot, pas ndeshjes është festuar gjatë bashkë me tifozët e zjarrtë të kësaj skuadre.

Një fitore që futbollistët ia kanë bërë dhuratë trajnerit të tyre Samuel Nikaj i cili pikërisht nesër feston 40 vjetorin e tij të lindjes.

Trajneri shkodran i ka bërë të gjithë për vete në këtë qytet dhe tashmë sëbashku po ëndërrojnë rikthimin në Superligën e Kosovës.

Vushtrria do të bëhej kësisoj skuadra e tretë që Nikaj do të ngjiste në Superligë pas Flamurtarit të Prishtinës dhe Kastriotit të Krujës.
© shkodrasport.com