Edhe pse futbolli rezervon surpriza, në “Air Albania Stadium” nuk ndodhi diçka e tillë. Volfsburgu pritej të ishte të ishte më i fortë se sa Kukësi. Thjeshtë vetëm për faktin, se është pjesëmarrës në Bundesligë, çka e dëshmoi edhe në përballjen e sonte ndaj verilindorëve.

Ata, si gjermanë, nuk toleruan deri në çastet e fundit të takimit edhe pse kualifikimin e kishin siguruar më herët. Veghorst (21’, 74’), Lekroix (33’), Mehmeti (90’), ishin autorët e golave për Volfsburgun, që kaluan në turin e tretë të Europa League.

Kuksianët, pasi kaluan në turin e parë bullgarët e Sllavias, sonte arshivuan një humbje të thellë, të pajustifikuar 0-4. Pavarësisht disnivelit në përgatitje, futbollistët kuksianë bënë edhe mjaft gabime, sidomos në repartin e mbrojtjes, ku edhe dhuruan shumë.

Në 90 minutat e lojës së verilindorëve kujtohet penalltia e humbur nga Roca (35’) dhe një traversë e goditur nga Gashi (57’). Trajneri Gega u përpoq të ndryshonte rrjedhën e lojës me ndërhyrjet e tij, por ishte e pamundur. Niveli ishte dallueshëm i ndryshëm.