Sezoni që Xabi Alonso po zhvillon me Bayer Leverkusen ka bërë që shumë ekipe të mëdha të futbollit europian, të “hedhin sytë” te trajneri spanjoll. Skuadra “big” si Bayern Munich, Liverpool apo Barcelona janë 3 më të interesuarit për të ulur në pankinë Alonson.

Gjatë konferencës para ndeshjes përballë Mainz, Alonso është pyetur nga gazetarët pikërisht për të ardhmen. Por 42-vjeçari është përgjigjur në mënyrë të prerë, duke u shprehur se është i përqendruar vetëm te puna e tij aktuale.

“E di që shumë prej jush duan të pyesin për Bayernin apo Liverpoolin, por unë jam trajner i Bayer Leverkusenit. Nuk ka asnjë të re, përveç kësaj dhe jam shumë i përqendruar të bëj sa më mirë punën me ekipin tim. Zërat e merkatos nuk më shqetësojnë, pasi unë e di ku jam dhe çfarë objektivash kemi.

Mbajmë vendin e parë në Bundesligë dhe duam të rrimë sa më gjatë në krye. Në kohën e duhur do të merrem edhe me të ardhmen”, është shprehur Xabi Alonso.