“Jam shumë i kënaqur dhe i lumtur jo vetëm për rezultatin, por edhe lojën që zhvilluam. Është niveli më i mirë i skuadrës me mua si trajner, kjo ndeshje kundër Antwerp dhe e së shtunës kundër Betisit. Dhe kjo është mënyra për të vazhduar, të luajmë me durim.
Duke parë se si ne bëjmë presion lart dhe kundërshtari nuk del dot, krijohen edhe shanset për gola. Ne do të fitojmë ndeshje edhe 1-0, por kjo mënyrë loje është ajo që të gjithë duam”, – shpjegoi Xavi, pas fitores 5-0 ndaj mikut të tij Van Bommel.
Përsa i përket përshtatjes së shpejtë të Ilkay Gündogan dhe Joao Cancelo, arsyeja është e qartë: “Ata të dy vijnë nga puna te Manchester City, me një trajner që luan ashtu siç duam edhe ne. Pra, nuk ka nevojë t’iu tregojmë asgjë. Ata e dinë se çfarë duhet të bëjnë në çdo kohë. Të dy e përmirësojnë nivelin e skuadrës sonë, ashtu si Joao Félix. Ata po kënaqen dhe kjo është gjëja më e rëndësishme”.
Më pas u zgjerua më tej për Gündogan: “Kur ai ngre nivelin, sikur bie nga qielli për ne. Është e mrekullueshme ta shohësh atë. Gundogan është një futbollist superlativ, bën atë që duhet të bëjë dhe përmirëson gjërat, kur topi zotërohet prej tij”.
Trajneri blaugrana, gjithashtu kishte lëvdata për Joao Félix: “I kam thënë se sa më thjeshtë të luajë, aq më shumë gola do të shënojë. Ai ka potencial të jashtëzakonshëm, përulësi për të punuar dhe inteligjencë për të kuptuar lojën. Po kënaqet dhe kjo është gjëja më e rëndësishme. Partneriteti me Lewandowskin? Të mirët e kuptojnë gjithmonë njëri-tjetrin, edhe me sy mbyllur”.
Emra të tjerë të duhur ishin Gavi (“luan mirë kudo që ta vendosni”) dhe De Jong: “Sigurisht që do të rinovoja me të tani, mendoj se mund të jetë në momentin më të mirë të karrierës”.
Xavi theksoi si çelës për të ardhmen “ruajtjen e këtij niveli të lojës dhe përqendrimit, urinë, lojën kolektive, kohezionin brenda dhe jashtë fushës. Po krijojmë shumë në sulm, sezonin e kaluar na ka munguar loja pozicionale në sulm, që tani e kuptojmë”.
Ai zbuloi se çfarë i tha Van Bommel rreth minutës së 20-të, pak para rezultatit 3-0: “Ekipi i madh, më tha ai. Unë iu përgjigja: po, tani jemi vërtet mirë, Mark”.
Xavi frenon euforinë duke kujtuar se “vitin e kaluar ishim në të njëjtën situatë pas ndeshjes së parë dhe më pas ndodhi ajo që ndodhi. Tani kemi ndeshjen më të komplikuar në Porto, duam të shkojmë në 1/8 finale. Nëse shkojmë si të parët në grup, aq më mirë. Ajo e radhës do të jetë ndeshja më e vështirë”./telesport/