Xavi Hernandez raportohet se po përgatitet për një rikthim në stol sezonin e ardhshëm. Tekniku spanjoll nuk është me nxitim, por ai po synon një projekt afatgjatë i cili do t’i lejojë atij të konkurrojë në nivelin më të lartë.
Për këtë arsye ai është bërë njëri ndër kandidatët e mundshëm për të marrë drejtimin e Manchester United. Sipas një raportimi nga mediumi spanjoll Relevo, rezultatet e dobëta të Ruben Amorim, e kanë vendosur atë nën presion pavarësisht kontratës së tij deri në vitin 2027.
Kjo ka bërë që të ketë thashetheme se United mund ta konsiderojë Xavin si një opsion në rast se vendosin të bëjnë një ndryshim në stafin teknik.
Xavi ka qenë i papunë që prej largimit të tij nga Barcelona, ndërsa mori pjesë në ceremonitë e lamtumirës së Andres Iniesta dhe Sergi Roberto. Ai gjithashtu ka vizituar edhe Meksikën gjatë kësaj kohe për të zhvilluar një ndeshje mes legjendave.
Së fundmi Xavi vizitoi ambientet e Al Sadd në Katar, atje ku i dha fund karrierës së tij si lojtar dhe nisi zejen e trajnerit.
Raportimet sugjerojnë se klube të ndryshme do të vazhdojnë të kontaktojnë me Xavin teksa ai po konsideron hapin e ardhshëm në karrierë./Telegrafi/