Flitet për ardhjen e një sulmuesi tjetër por mund të mos jetë vetëm ai. Te Vllaznia janë duke studiuar të gjitha mundësitë e mundshme, duke parë si po shkojnë gjërat dhe nëse do të jetë e nevojshme, do të ndërhyhet sërish në merkato. Një gjë të tillë e ka bërë të ditur për “Shkodra Sport” sponsori i saj Alban Xhaferi.

“Patjetër që do të ketë lojtarë të tjerë që do të vijnë te Vllaznia. Ne jemi në fazën e rishikimit të disa pozicioneve dhe mendojmë se brenda afatit kohor që lejon merkatoja, do të ketë edhe afrime të reja”- ka deklaruar ai.

Për Vllazninë e sezonit të ri po flitet shumë për objektivat e saj për të qenë në Kupat e Europës në fund të sezonit. Alban Xhaferi thotë se skuadra po punon për këtë gjë dhe shpreson që t’ia dalë, ndërkohë që i garanton të gjithë se ato vuajtjet e sezoneve të fundit nuk do të jenë më prezente tek Vllaznia.

“Ne po bëjmë përpjekjet maksimale dhe objektivi ky është që Vllaznia të kthehet në ato nivele ku duhet të jetë. Për fat të keq skuadra këto vitet e fundit ka patur rezultate jo të pritshme, kështu që ky vit do të jetë viti i ndryshimit dhe prandaj shpresoj të kapim objektivin për të qenë në Kupat e Europës.

Gjithmonë jam optimist se skuadra do të arrijë rezultate të mira dhe patjetër që nuk do të jetë në ato nivele që ka qenë vitet e fundit dhe nuk do t’i kalojë ato vuajtjet e këtyre viteve për daljen apo jo nga kategoria. Kjo gjë as nuk duhet të diskutohet më. Prandaj shpresoj të kemi rezultatet e duhura”- ka deklaruar Xhaferi.
www.shkodrasport.com