Vllaznia vazhdon të shënojë, por në fakt duket qartë se nga numri i madh i rasteve të krijuara, nuk shënohet dhe aq shumë gola sa duhet.

Në majë të sulmit Dilaver po bën maksimumin por ka qenë edhe i pafat, ndërkohë që prej disa javësh është i vetëm që pas largimit të sulmuesit tjetër Ismael Dunga drejt vendlindjes së tij.

Ky i fundit në fakt pritej të mbërrinte në Shkodër në ditët e fundit të dhjetorit por kjo nuk ka ndodhur. Në lidhje me këtë çështje, ka folur për “Shkodra Sport” sponsori i ekipit kuqeblu Alban Xhaferi.

“Saktësisht nuk e dimë se sa do të shkojnë procedurat e paisjes me pasaportë të tij në Kenia. Dunga e ka bërë aplikimin dhe pret marrjen e pasaportës dhe pastaj të presë vizën për t’u nisur drejt Shqipërisë”- ka thënë ai.

I pyetur ndërkohë në lidhje me ndonjë datë të mundshme se kur mund të kthehet Dunga, sponsori Xhaferi ka deklaruar se shpresa janë që gjithçka të marrë zgjidhje në ditët e para të janarit.

“Unë shpresoj që Dunga të mbërrijë rreth datës 10-12 janar dhe pastaj do të shohim edhe gjendjen e tij fizike për të parë se kur do të luajë ndeshjen e tij të parë pas rikthimit”- ka thënë ai./SHKODRA-SPORT.COM/