Vllaznia vazhdon të fluturojë në klasifkimin e Superiores dhe për dyshen drejtuese të klubit shkodran, Xhaferi-Ademi, ky është momenti për të marrë edhe pak vlerësime për atë që kanë arritur të krijojnë në këtë edicion pas shumë vitesh vuajtje të kuqebluve.

Sponsori i skuadrës ka deklaruar sot për “SuperSport” se ishte i lumtur për atë që kishte parë në fushë përveç kartonit të kuq dhe tashmë shpresonte që ekipi të ruante këtë diferencë, duke hedhur qartësisht sytë drejt titullit kampion.

“Ishte ndeshje emocionuese dhe e merituam fitoren plotësisht. Patëm edhe raste të tjera për të shënuar gol. Ndoshta kam rezervat e mia në lidhje me kartonin e kuq, për mua nuk ishte për të kuq. Ndoshta duhet parë më mire në moviolë.

Megjithatë kemi krijuar një diferencë të konsiderueshme prej 9 pikësh dhe shpresoj që me ndihmën e Zotit ta vazhdojmë në këtë rrugë për ta përfunduar me sukses misionin”, tha ai.

Ndërkohë, kryebashkiakja ia ka kushtuar këtë sukses të sotëm pikërisht ekipit që po bën gjithnjë e më mirë duke luajtur atë futboll të bukur që kërkon e gjithë Shkodra.

“Jam shumë e kënaqur që ne arritëm të fitonim pavarësisht vështirësive që patëm. Për mua mendoj se është një arritje tjetër e skuadrës tone. Unë mendoj se jemi paraqitur më mirë edhe se në ndeshjen e kaluar dhe vazhdojmë e paraqitemi më mirë.

Unë ia dedikoj të gjithë këtë punë, trajnerit, Matkos, të gjithë atyre që punojnë shumë afër me ekipin, stafit teknik dhe mbi të gjitha skuadrës. Që kur thuhet skuadër, ata janë një grup i vërtetë”, deklaroi Ademi. /vipsport/