Në media gjatë ditës së sotme kanë dalë lajme që Vllaznia ka kërkuar që kampionati të nisë dhe bojkoti të mbyllet, por sponsori i saj, Alban Xhaferi që ka qenë i pranishëm në mbledhjen e djeshme të Ligës Profesioniste ne nje prononcim te dhene ne emisionin “Fax sport” e konsideron ndryshe idenë e hedhur dhe konfirmon edhe njëherë qëndrimin e klubit shkodran për të qenë përkrah ekipeve të tjera në çështjen e bojkotit.

“Pika kryesore e diskutimeve ishte ajo e bojkotit dhe ajo që na shqetëson ne sepse kuptohet, kemi ardhur për të kontribuar për futbollin dhe mosfillimi i ndeshjeve është shqetësues për të gjithë ne, duke përfshirë këtu edhe lojtarët, trajnerët, tifozët etj.

U rrahën shumë mendime, u diskutuan shumë gjëra dhe kuptohet që edhe Vllaznia i mbështet maksimalisht të katër pikat e kërkesave që Liga Profesioniste i ka bërë Qeverisë, sepse janë kërkesa që vetëm e ndihmojnë sportin dhe do të ndihmojnë për ta formalizuar sportin.

Megjithatë pati edhe diskutime të hapura në lidhje me formën e protestës sepse edhe bojkoti në fakt është një formë ekstreme e protestës. Kjo shtyrje e nisjes së kampionatit ndikon keq edhe tek skuadra sepse ne tashmë jemi përgatitur për nisjen e ndeshjes, po paguajmë rroga dhe ato janë të larta dhe çdo ditë që kalon është në dëmin tonë. Nga ana tjetër, presioni i tifozëve është i madh.

Në media sot është shkruar se unë në mbledhjen e djeshme kam dalë hapur për nisjen e kampionatit, por në fakt nuk është kështu. Gjatë mbledhjes janë bërë shumë diskutime të hapura për mënyrën e vazhdimit të protestës. Personalisht kam dhënë disa mënyra të tjera për këtë gjë, por kuptohet që bojkoti është një çështje që do të vendoset nga të gjithë nëse do të vazhdojë apo do të ndërpritet.

Ne të gjithë duam që të fillojë kampionati, por në mungesë të vëmendjes ose në mungesë të një përgjigje nga ana e Qeverisë, bojkoti ka qenë forma më ekstreme e protestës. Të gjithë që ishim prezentë në mbledhje dje, ishim të një mendimi që bojkoti të vazhdonte, nuk duhet të ketë dyshime nëse unë apo dikush tjetër ishte kundër.

Në atë tryezë unë jam si biznesmen dhe si përfaqësues i Vllaznisë. Presidentët më të vjetër që janë në atë tryezë, janë të vendosur për t’i shkuar deri në fund kësaj proteste sepse kanë dhënë shumë kontribut për futbollin në vite, kanë harxhuar shumë lekë nga xhepi i tyre dhe nuk duhen paragjykuar aspak në mënyrë negative, por duhet t’i jepen meritat për gjithë këtë kontribut.

Në këtë kontekst, mua më takon të flas shumë më pak se gjithë të tjerët sepse unë sapo kam hyrë tek futbolli. Kalimi i kohës dhe mosmarrja ende e një përgjigje, nuk është normale. Palët duhej të ishin ulur në tavolinë, duhej të kishin biseduar dhe ndoshta mund të kishin toleruar në një, dy apo tre pika”- ka thene ai.

Xhaferi ka folur edhe për situatën në ekip pas daljes pozitiv të disa prej pjestarëve të tij. “Falë Zotit gjendja e të gjithëve është e mirë dhe nuk kanë probleme serioze. Nëse fillon kampionati, do të ishim të gatshëm për ta vazhduar sepse kemi 25 lojtarë në dispozicion, plus që kemi lojtarë edhe nga ekipi U21, prandaj nuk mund të justifikohemi për shtyrjen si pasojë gjoja e pandemisë.

Mendojmë se kemi bërë një merkato të mirë dhe shpresojmë të arrijmë objektivat që kemi vënë. Brenda një muaji jemi munduar të bëjmë maksimumin sepse nuk kemi patur shumë kohë në dispozicion. Ndoshta mund të bëjmë ndërhyrje edhe në janar, megjithatë e rëndësishme është të të fillojë njëherë kampionati e pastaj të shohim nevojat e skuadrës”- eshte shprehur sponsori i Vllaznise./SHKODRA-SPORT.COM/