Ardhja e biznesmenit Alban Xhaferi pranë KF Vllaznia në rolin e bashkëpunëtorit, sponsorit dhe partnerit, ka krijuar idenë dhe përshtypjen e një shndërrimi total të punës në këtë klub. Priten ndryshime të mëdha që nga mënyra e punës, tek Akademia, marketingu por edhe shumë gjëra të tjera.
Dhe një ndër ndryshimet që pritet të ndodhin në klubin shkodran është edhe administrimi i stadiumit “Loro Boriçi” dhe shndërrimi i tij në një pikë referimi për të gjithë. Një gjë të tillë e ka bërë të ditur në një prononcim për mediat sponsori Xhaferi kur është shprehur:
“Stadiumi “Loro Boriçi” duhet të vihet në funksionon në shumë plane. Në rradhë të parë, shpresojmë të mbyllet shpejt puna e pandemisë dhe të hapet për tifozët sepse ata janë një element shumë i rëndësishëm për Vllazninë.
Por jo vetëm kaq. Stadiumi duhet të shfrytëzohet maksimalisht me gjithë ambjentet e tij dhe të bëhet sa më efiçent. Besoj se administrata e Vllaznisë do të spostohet pranë tij, drejtori sportiv do të ketë aty zyren, do të shfrytëzohet salla e konferencave për video- scout etj.
Komplet struktura e stadiumit duhet të punojë bashkë me kryetaren e Bashkisë duhet të punojnë me një efiçensë sa më të madhe dhe qendra të jetë atje. Stadiumi është një aset për Shkodrën dhe ai duhet të jetë i gjallëruar jo vetëm ditën e ndeshjes por gjatë gjithë kohës”.
www.shkodrasport.com