Altin Xhahysa, ish-futbollist i Vllaznisë dhe tanimë trajner futbolli, ishte i ftuar në studion e emisionit “Star Sport” në Star Plus, që drejtohet nga gazetarët Maringlen Zhivani dhe Marinela Matija. Ai kritikoi lojën e Vllaznisë në ndeshjet e zhvilluara deri më tani.

“Problemi këtu tek ne është gjithmonë i keqi. Vetë ne si shkodranë nuk i pranojmë kritikat, por duhet të mendojmë se kush po kritikon. Jam një ish-sportist që ka dhënë për Vllazninë, ndërsa sot jam trajner. Pra, kritikat tona janë për të mirën e kësaj Vllaznie, të mirën e këtij tifozllëku. Të dhemb shpirti kur e sheh ndeshjen me stadiumin bosh.

Ne edhe në qoftë se duam të flasim fjalë të mira për Vllazninë, mua nuk më lejojnë statistikat. Unë jam totalisht i zhgënjyer nga ndeshja e Vllaznisë ndaj Egnatias. Në këtë ndeshje, Egnatia e fali Vllazninë në disa raste, sepse ajo nuk bëri asgjë. Ne kemi një mesfushë që gjithçka mund t’i thuhet, por mesfushë jo. Jemi pa sulm e pa krahë. Unë shoh shumë mangësi tek ky ekip.

Futbollistët janë të mbingarkuar fizikisht, pasi kaq shumë dëmtime nuk ka patur asnjëherë tek Vllaznia. Ia kam thënë madje këtë gjë edhe trajnerit të mëparshëm Memelli. Një gjë tjetër është që tek Vllaznia futbollistët nuk kanë karakter, pasi askush nuk merr përgjegjësi për gabimet që bëhen. Flitet shumë për vonesat e pagave, por kur hynë në lojë futbollistët e kanë marrë përsipër që janë me apo pa paga.

Duhet ta justifikojnë besimin që po u jepet te Vllaznia. Te kjo skuadër janë bërë 11-afrime dhe ndër këto, vetëm tre-katër luajnë. Ku janë të tjerët? Më thoni pak? Nuk jam kundër afrimeve, as nuk jam kundër shkodranëve, pasi edhe ne shkodranë jemi, por afrimet të bëhen cilësore”,-tha trajneri i njohur Altin Xhahysa.