Altin Xhahysa, trajner dhe ishkampion i vendit me Vllazninë, ka folur së fundmi në një intervistë për “Panorama Sport”. Ish-sulmuesi është ndalur te performanca e kuqebluve në këtë gjysmë të parë të sezonit. Ai thekson se shkodranët kanë ende për të dhënë nga potenciali i tyre e po ashtu pret përmirësim të lojës në vitin 2025.


Xhahysa, si ju është dukur ky kampionat deri më tani në syrin tuaj?

Mendoj se ka qenë një kampionat që nuk është se ka prodhuar ndonjë cilësi të madhe loje. Përjashto ndonjë skuadër që mund të ketë një stil të caktuar, në përgjithësi ekipet nuk është se kanë shfaqur lojëra të mira. Por rivalitet ka në çdo pjesë të tabelës. Besoj se kjo është diçka pozitive, që e mban garën të ashpër dhe të luftuar.


Cilat janë skuadrat që kanë bërë më shumë përshtypje?

Ekipet që aktualisht janë në katërshe besoj se kanë bërë diferencën. Këtë e tregojnë edhe pikët, pasi janë të shkëputur nga vendi i pestë. Ndoshta Dinamo ka bërë më mirë se të tjerat, pasi ka edhe cilësi në sulm. Por nuk janë pas as Vllaznia, Partizani dhe Egnatia. Mund të them se edhe Elbasani ka ecur mirë, por nuk besoj se me grupin aktual të lojtarëve, mund të ngjitet në katërshe. Them se këto 4 ekipe do të qëndrojnë deri në fund në garën për titull.


Kalojmë te Vllaznia, me luhatje apo jo?

Them se Vllaznia nuk e ka shfaqur ende potencialin e saj të plotë. Skuadra më duket ende nën ritëm dhe ndoshta kanë ndikuar dëmtimet e shumta që ka pasur. Pavarësisht kësaj, ekipi është brenda objektivit.


Çfarë mund të përmirësojë në vitin 2025?

Duhet të ketë ritëm dhe befasi, të imponojë ritmin e saj ndaj kundërshtarit. Skuadra i ka cilësitë për ta bërë, thjesht duhet të ketë besimin e duhur. Mund të bëjë shumë më mirë në aspektin e lojës, sepse rezultatet nuk kanë qenë negative. Në Shkodër nuk duan vetëm rezultate, por edhe futboll cilësor, që tërheq tifozët.


Si e shikon përforcimin e fundit të skuadrës, Repaj?

Një lëvizje e duhur, pasi është një djalë që e njeh ambientin dhe mund të angazhohet menjëherë në skuadër. Kam besim se mund t’ia dalë të spikasë në një repart si mbrojtja, që ka pasur problematika të shumta. Patjetër, duhej rishikuar ky repart nga ana e drejtuesve dhe stafit.


Duhet të shikojë për futbollistë të tjerë skuadra në merkato?

Çdo skuadër ka nevojë për përforcime. Them se edhe ndonjë sulmues mund të afrohet. Por më e rëndësishmja është rikthimi i të dëmtuarve.


Premton kjo Vllazni për titullin?

Mundësitë janë për ta finalizuar në fund të edicionit titullin kampion. Skuadra ka disa sezone që është në “vorbullën” e ekipeve për kampion. I ka shanset për titullin, por skuadra duhet të vijë me mentalitetin e duhur në vitin 2025 dhe të tregojë cilësitë.