Altin Xhahysa, ish-futbollist dhe ish-trajner i Vllaznisë ka folur ekskluzivisht së fundmi për “Panorama Sport”, rreth situatës së kuqebluve. Ish-sulmuesi thotë se humbja e fundit ndaj Skënderbeut mund të ndikojë në epilogun e këtij edicioni. Sipas shkodranit, po ashtu skuadra nuk ka një “plan B” dhe ekipet e tjera e kanë kuptuar lojën e tyre. Megjithatë, Xhahysa thekson se ekipi ende është në rrugën e duhur për të arritur tek titulli kampion, pavarësisht se gara do të jetë e egër.

Xhahysa, si e analizoni ndeshjen e fundit ndaj Skënderbeut?

Një ndeshje ku Vllaznia nuk tregoi aspak nga vlerat e saj. I la kundërshtarit shumë hapësira, të cilat ata i shfrytëzuan në maksimum. Futbollistët e Vllaznisë mu duk sikur e kishin marrë “lehtë” një takim të tillë, duke e nënvlerësuar disi kundërshtarin në syrin tim. Diçka që ndikoi në rezultatin përfundimtar, ku për korçarët një sukses në Shkodër ishte për “jetë a vdekje”.

Pra, nuk ka një “plan B”?

Pikërisht, sepse kam frikë se në këtë mënyrë do të konsumohet më shumë seç duhet edhe Bekimi (Balaj). Po e lodhim më shumë seç duhet e po merr përsipër gjithçka. E ndoshta në momentin kur do të duhet më tepër, në ndeshjet e “Final 4”, ai mund të mos jetë në gjendjen e tij më optimale. Prandaj duhet racionalizuar edhe Balaj dhe shokët e skuadrës duhet ta ndihmojnë më tepër. Duhet gjetur edhe një plan tjetër, sepse edhe kundërshtarët e kanë kuptuar lojën e Vllaznisë tashmë.

Sa përcaktues mund të jetë dueli i mesjavës tjetër kundër Egnatias?

Nga ana morale besoj se është shumë i rëndësishëm. Një rezultat pozitiv në transfertë kundër ekipit kryesues besoj se të jep zemër tjetër në vijimësi. Vllaznia e ka kohën e duhur për ta përgatitur ndeshjen siç duhet. Ku duelet e këtij edicioni deri më tani kanë treguar baraz peshë mes dy skuadrave. Pres një ndeshje të fortë dhe me spektakël në këtë duel, ku shpresoj të triumfojë Vllaznia.