Altin Xhahysa mendon se Vllaznia është në rrugën e duhur dhe do të luftojë deri në fund për titullin kampion. Ish-sulmuesi i kuqebluve në vitet ’90, gjatë një interviste për “Panorama Sport”, ka theksuar se ekipi i Mirel Josës duhet të qarkullojë sa më tepër topin, pasi i ka mundësitë për të sulmuar me më shumë forca.

Xhahysa ndalet edhe te ndeshja e së shtunës që shkodranët do të luajnë ndaj Kastriotit në stadiumin “Loro Boriçi”, ndërsa beson se me ardhjen në formë të sulmuesit Bekim Balaj, Vllaznia do të jetë e frikshme.


Altin, Vllaznia nuk po krijon ende një seri fitoresh dhe duket sikur ngec në momentin kur i duhet të bëjë hapin e madh për të qenë sa më afër kreut. Si e shpjegoni këtë?

Nuk me bën ndonjë habi fakti që s’po marrin dot tri fitore rresht, për vetë faktin se ky kampionat po tregon se janë të fortë të gjitha ekipet. Me atë që unë shikoj, nuk ka skuadra të vogla apo të mëdha, përjashto një Kukës, që po zhgënjen nga java në javë. Unë mendoj se Vllaznia po ndryshon dhe me ardhjen e Bekim Balajt, është bërë më e frikshme për kundërshtarët.


Ju mendoni se nuk ka diçka që shkon keq në ekip dhe nëse përmirësohet mund të ketë ecuri më të mirë?

Të them të drejtën nuk shikoj se ka diçka që shkon keq, por vetëm jam i mendimit që të qarkullohet topi sa më tepër dhe të luhet më shumë me sulmuesin kryesor. Ndihma e mesfushorëve pres të jetë më e madhe, pasi Vllaznia duhet ta kërkojë golin me shumë forca. Në këtë moment kërkohet shumë kujdes për të bërë ndryshime, por mendoj që kanë ndikuar jo pak edhe mungesat e lojtarëve.


OK, por si ka mundësi që këtë sezon Vllaznia tregohet shumë e fortë me Tiranën dhe Partizanin, por nga ana tjetër, lë pikë me skuadrat e konsideruar të vogla në letër?

Kjo është edhe pak si sëmundje për Vllazninë. Gjëra të tilla i kemi vuajtur edhe ne kur kemi luajtur. Kemi pasur probleme gjithnjë, por e përsëris që këtë kampionat s’ka diferenca dhe nuk mund të futet për ekipe te vogla.

Me situatën në renditje aktualisht, besoni se shkodranët i kanë mundësitë për të parakaluar bardheblutë?

Kështu siç po zhvillohet ky kampionat, Vllaznia i ka mundësitë që të dalë kampione, por kjo kërkon një seriozitet në çdo aspekt, jo vetëm në fushë, por në të gjitha gjërat. Realisht është mundësia për të kthyer titullin, pasi Vllaznia i ka edhe lojtarët për të kërkuar trofeun deri në fund. Mendoj se përveç Tiranës, nuk shikoj ndonjë ekip tjetër për titullin. Skuadrat e tjera kanë treguar dobësi, ndërsa Tirana bën pak gabime dhe e ka forcën për të rikuperuar pikët e lëna.


Të shtunën luajnë ndaj Kastriotit, një skuadër që vitet e fundit i ka hapur probleme Vllaznisë. Si e parashikoni këtë takim?

Me Kastriotin është një ndeshje e vështirë. E dimë që krutanët zhvillojnë një lojë agresive dhe mund t’i hapin punë Vllaznisë, por duke parë lojërat e ekipit tonë, them se do ta fitojmë këtë sfidë. Natyrisht që fitorja është detyrim, por e theksoj që me Kastriotin duhet shumë kujdes. I uroj fitore Vllaznisë.