Altin Xhahysa, ish-futbollisti kampion me Vllazninë, ka folur për fitoren e fundit të kuqebluve. Ish-mesfushori sulmues ka vlerësuar shumë lojën dhe nivelin që paraqitën kuqeblutë në takimin ndaj Erzenit.
Ai vlerësoi frymën që u ndie në skuadër me ardhjen e teknikut të ri. Xhahysa vlerësoi lojën që zhvilloi ekipi, por për të shkuar drejt arritjes së objektivave kuqebluve u duhet që të ta mbajnë këtë ritëm dhe të krijojnë vazhdimësi në rezultate. Këtë duhet ta bëjnë që në takimin e kësaj jave ndaj Kukësit.
Si e patë Vllazninë në takimin ndaj Erzenit?
Ishte një ndeshje, ku Vllaznia u shpreh në mënyrën më të mirë të mundshme. Për herë të parë këtë sezon mund të them se shikuam një Vllazni të vërtetë. Një skuadër sulmuese e ashtu siç e kërkon publiku shkodran.
Meritë kjo e trajnerit të ri?
Si për mirë dhe për keq kur ndryshon i mbetet atij që është në krye që të marrin si meritat e po ashtu edhe gabimet. Dua të vlerësoj trajnerin Sedloski, ku e pranoi që nuk ka “shkopin magjik”, por ia ndryshoi tërësisht fytyrën e Vllaznisë nga ndeshjet e fundit, por ka ndryshuar diçka në skuadër, pasi kjo u pa dukshëm.
E shihni brenda objektivave Vllazninë në fund të sezonit?
Unë kam ende besim se kjo skuadër mund të bëjë mirë deri në fundin e këtij sezoni. Për mua është brenda objektivave dhe objektivin minimal që kanë pasur arritjen e Kupave të Europës e shikoj të realizueshëm, pavarësisht se e kam thënë edhe herë të tjera se ky sezon për Vllazninë ka qenë plot me ulje e ngritje. Besoj, siç edhe e thashë, që në këto 8 takime të fundit të bëjnë më të mirën e mundshme dhe me ritmin që shfaqën ndaj Erzenit.