I pranishëm në studion e Star Sport mbrëmë ishte trajneri Murlanit, Altin Xhahysa. Ish-sulmuesi i Vllaznisë foli për ndeshjen kundër Tiranës që zhvilluan kuqeblutë duke u shprehur se ishte gëzuar nga ajo që pa në fushë.

Ai tha: “Dua të them se Vllaznia më kënaqi me atë që zhvilloi në ndeshjen kundër Tiranës. Ishte një dominim total i kundërshtarit në të gjitha aspektet. Mungoi vetëm goli, e kjo ndoshta si pasojë e ndonjë pakujdesie apo edhe mungese të fatit.

Por edhe emocionet në një sfidë të tillë, ku tifozeria shkodrane ishte super ndikuan tek lojtarët. Jam i sigurt që në një ndeshje tjetër Aralica do shënonte 2-3 gola.

Besoj se me Egnatian do jetë një fitore e pastër dhe Vllaznia do vijojë të tregojë formën e saj. Nëqoftëse mund të cilësoj një gabim tek Vllaznia që unë e theksoj prej thuajse 8 vitesh është mungesa e elementit të ri.

Djemve shkodranë dhe të akademisë duhet t’iu jepet pak prioritet. E pamë që Tirana në një sfidë titulli kundër Vllaznisë, futi në fushë një 19-vjeçar si Gjumsi. Shembull i cili duhet ndjekur edhe nga kuqeblutë”.
Endri ÇINARI