Trajneri i Arsenalit Mikel Arteta nuk dëshiron që Granit Xhaka të largohet nga klubi i njohur anglez.

Futbollisti shqiptar nuk u grumbulla për derbin e djeshëm kundër Çelsit, ku Arsenali u mposht përballë publikut të vet me rezultatin 1-2. Tekniku spanjoll u shpreh për mediat se dëshiron që Xhaka të mbetet pjesë e “Topçinjve”, ndërsa çmoi paraqitjen e 27-vjeçarit në ndeshjen ndaj Burnmauthit.

Mosgrumbullimin e Xhakës për derbin e Londrës me Çelsin, Arteta e justifikoi me faktin se ai ndihej i sëmurë dhe ka qëndruar me regjim shtrati.

“Nuk dua që ai të iki. Ai luajti shumë mirë kundër Burnmauthit, luajti vërtetë mirë. Ishte i përqëndruar te ndeshja. Pas atij takimi, Xhaka nuk ndihej mirë. Kishte temperatëturë dhe nuk ndihej në formën optimale. Dy ditë e fundit ka qenë shtritë në krevat, prnadaj nuk ishte grumbulluar”, bëri me dije Arteta pas sfidës së djeshme me Çelsin.

Mediat e huaja po përforcojnë prej ditësh zërat se Xhaka do të transferohet gjatë merkatos së janarit te Herta e Berlinit në Gjermani.

Nuk dihet nëse Arteta do të ndërhyjë për të bllokuar largimin e Xhakës, por fati i futbollistit të Zvicrës është në duart e teknikut të ri spanjoll.