Skënderbeu kërkon tre pikët e radhës në kampionat në ndeshjen e shtëpisë përballë Teutës duke ruajtur vijimësinë pas fitores me Vllazninë. Fitore e cila erdhi në momentin e duhur për korçarët që kishin vetëm një pikë në dy ndeshjet e para të kampionatit.

Për ish-sulmuesin korçar Dhimitraq Xhambazi, fitorja ndaj Vllaznisë erdhi në momentin e duhur për korçarët që kishin treguar me lojë se janë një ekip me vlera, por rezultatet nuk ishin ato që priteshin. Ndaj edhe në të tilla kushte, Xhambazi thekson se në këto momente vijimësia është ajo që i duhet Skënderbeut, aq më tepër që ndeshjen e radhës e luajnë sërish në shtëpi përballë Teutës.

“Ka qenë një fillim sezoni delikat për Skënderbeun që ka treguar se cilësitë i ka prezente në grup dhe ka një skuadër të ndërtuar mirë, por pikët ishin ato që flisnin të kundërtën. Në dy ndeshjet e para të sezonit Skënderbeu luajti mirë me Elbasanin dhe po ashtu në transfertë me Partizanin. Fakti që morën vetëm një pikë në këto dy takime rëndoi disi psikologjinë e skuadrës. Ndaj edhe për këtë ndaj Vllaznisë pamë një ekip të etur dhe kërkues për sa kohë ishin me forca të barabarta në fushë më pas i kuqi ndryshoi shumëçka.

Për të qenë konkret, fitorja ishte rezultati i vetëm që i bënte punë ekipit. Me qetësinë e pikëve tani Skënderbeu ka nevojë për vijimësi dhe më së miri duhet ta bëjë ndaj Teutës në ndeshjen e shtëpisë. Teuta në vitet e fundit është një kundërshtar që nuk kalohet lehtë dhe Skënderbeu e di mirë këtë. Le të shfrytëzojë momentin dhe të marrë maksimumin nga faktori shtëpi pasi kjo është një avantazh i madh. Kam besimin se ekipi do të dijë të vijojë me rezultatet pozitive për të marrë një tjetër fitore”, theksoi fillimisht Dimitraq Xhambazi.

MERKATO – I ndalur më pas te lëvizjet në merkato për këtë sezon, Xhambazi vlerësoi drejtuesit korçarë për mënyrën sesi kanë lëvizur në këtë hapësirë transferimesh.

“Sa i përket merkatos është një moment shumë kyç dhe përcaktues për gjithë sezonin pasi duhet të tregohesh i matur dhe i kujdesshëm. Mund të them se lëvizjet kanë qenë të mirë menduara si në dalje edhe në afrimet e bëra. Klubi ka përfituar financa të sigurta nga lëvizjet dhe ka afruar element premtues dhe cilësore.

Mund të veçoj sulmuesin Bismark që është një pikë referimi për ekipin në sulm. Teksa me afrimin e Dokës them me bindje që skuadra fiton cilësi dhe eksperiencë pasi është një lojtar që e njeh mirë kampionatin dhe ka shumë cilësi”, vijoi ikona e futbollit korçar.

KAMPIONATI – Për Xhambazin ky sezon do të jetë edhe më i fortë dhe më i vështirë se ai i kaluari. Ai sheh ekipe që kanë cilësi dhe një parashikim në këto momente është tejet i vështirë.

“Në gjykimin tim ky sezon është shumë i vështirë dhe do të jetë shumë i luftuar. Ka shumë ekipe që kanë ambicie dhe niveli i skuadrave është shumë i ngjashëm. Është e vështirë që të dalësh në një parashikim kaq herët. Egnatia vijon të mbetet skuadra lidere, teksa ekipet e tjera janë thuajse në një nivel”, mbylli prononcimin e tij ish-sulmuesi i Skënderbeut, Dhimitraq Xhambazi.