Sulmuesi shkodran është rikthyer si protagonist sërish për skuadrën e tij Sepahan teksa në ndeshjen e sotme, e para për këtë vit, ka shënuar dy gola. Ka ndodhur kështu në ndeshjen Sepahan- Zob Ahan që përfundoi 4-3 në favor të skuadrës së sulmuesit shkodran.Goli i parë i ndeshjes është shënuar pikërisht nga Sukaj në minutën e 7-të. Shkodrani ka dyfishuar sërish rezultatin në minutën e 15-të dhe u krijua përshtypja se do ishte një fitore e lehtë për Sepahanin ngaqë luante përballë një skuadre që ndodhej në vendet e fundit të tabelës së renditjes.

Zob Ahan ka ngushtuar shifrat në minutën e 30-të por tre minuta më vonë ka shënuar sërish Sepahani dhe pjesa e parë është mbyllur 3-1. Në të dytën ka shumë zhvillim, teksa një nga lojtarët e Sepahanit ka dalë me karton të kuq që në fillim. Miqtë kanë përfituar dhe kanë shënuar dy gola dhe kanë barazuar rezultatin në 3-3. Megjithatë kur duket se ndeshja do mbyllej në barazim, ka ardhur edhe goli i fitores për skuadrën e Sukajt pikërisht në minutën e 90-të me anë të Navidkia dhe kësisoj ka marrë tre pikë shumë të vlefshme.Me fitoren e sotme Sepahani mban vendin e tretë në kampionatin iranian ndërsa Xhevahir Sukaj me dy golat e sotëm është ngjitur në kuotën e 8 golave të shënuar këtë kampionat.
www.shkodrasport.com