Mbrëmjen e sotme, në Teheran të Iranit është luajtur ndeshja e vlefshme për Ligën e Kampioneve të Azisë në mes ekipit vendas të Sepahanit ku luan edhe futbollisti shkodran Xhevahir Sukaj dhe skuadrës Al Nasri të Emirateve të Bashkuara Arabe. Iranianët kanë luajtur më mirë, e kanë dominuar lojën dhe ndonëse kanë patur shumë raste shënimi, kanë arritur ta dërgojnë topin në rrjetë vetëm në minutën e 86-të, gol që u ka dhënë atyre fitoren e shumëpritur me rezultatin 1-0 dhe Sepahan në këtë mënyrë e ka nisur mbarë ecurinë e tij në Ligën e Kampioneve të cilën ka qëllim ta fitojë sivjet. Ndërkohë Sukaj ka qenë për 80 minuta titullar dhe ka bërë një paraqitje të mirë. Aq sa në disa raste i gjithë stadiumi ka thirrur në kor emrin e tij.
Kjo e ka emocionuar vërtetë ish-sulmuesin e Vllaznisë që duke folur për këtë gjë, ka thënë kështu për gazetën online www.shkodrasport.com: “Të them të drejtën nuk e kisha provuar asnjëherë më parë një ndjesi të tillë. Më kanë brohoritur tek Vllaznia por vetëm 10 apo 15 mijë vetë që kanë qenë në “Loro Boriçi” por të brohorasin 70 mijë vetë që kishte sonte stadiumi, emrin tënd, kjo nuk më kishte ndodhur asnjëherë më parë. Jam ndjerë i ekzaltuar dhe kjo më shtynte të bëja më të mirën në fushë. Përveç kësaj, të luash përballë Luka Tonit, Breshianos apo ish-lojtarit të Portos, Lima, ishte vërtetë kënaqësi dhe privilegj. Besoj se e kam justifikuar me paraqitjen që bëra sepse mora përgëzimit e trajnerit dhe gjithë stafit”. Në këtë mënyrë Sepahan me fitoren e sotme, ka marrë tre pikët e para dhe tashmë e presin ndeshjet e rradhës me kampionet e Katarit dhe Arabisë. Objektivin e skuadrës së tij e ka bërë të ditur për gazetën tonë vetë Sukaj kur thotë: “Drejtuesit e klubit kanë objektiv të fitojnë Ligën e Kampioneve të Azisë këtë edicion. Kemi një ekip të mirë dhe shpresojmë t’ia dalim”.
www.shkodrasport.com