Në ndeshjen e fundit, atë të kampionatit me Tiranën, futbollisti i Vllaznisë Xhevahir Sukaj ka luajtur me një fanellë tjetër poshtë asaj kuqeblu të ndeshjes. Arsyeja ka qenë se ai i kishte dedikuar diçka ish-trajnerit të tij Ardian Arra, të ndarë nga jeta pak ditë më parë. Por nuk qe e thënë se ajo fanellë të ngrihej dhe lojtari t’ia dedikonte golin e dytë ish-trajnerit që ia mësoi këtë lojë të bukur. Kjo ngaqë në minutat shtesë të ndeshjes, Sukaj ndonëse doli vetëm për vetëm me portierin Lika, nuk arriti ta dërgonte topin në rrjetë dhe t’i jepte fitoren skuadrës së tij. Për rrjedhojë, edhe dedikimi për profesor Ardianin nuk ka shkuar deri në fund. Sukaj e pranon vetë se në rast se do kishte shënuar do ta kishte hequr krejt fanellën kuqeblu për t’u treguar të gjithëve dedikimin e tij.

“E kisha një karton të verdhë dhe sigurisht që nuk do ta kisha problem edhe një të dytë e të largohesha nga fusha me karton të kuq nëse do ta shënojë atë gol. Do t’i jepja fitoren Vllaznisë dhe mbi të gjitha do ia dedikoja atë profesor Ardian që do mbesë gjatë në mendjen time”-ka thënë sulmuesi shkodran. Xhevahiri në fakt ka qenë i pranishëm edhe në ceremoninë e varrimit të Ardian Arrës dhe tek ai është dukur qartë pikëllimi për ndarjen nga jeta e tij. Një lidhje e ngushtë dhe prandaj edhe kjo çfarë ka dashur të bëjë ai në ndeshjen me Tiranën, është mëse normale. Krejt ndryshe nga drejtuesit e Vllaznisë që duke e patur mendjen tjetërkund, harruan të mbajnë një minutë heshtje për ish-futbollistin Ardian Arra.