Ka mjaftuar një postim në “Instagram” nga Xhevahir Sukaj, që tifozët shkodranë të gëzohen. Këta të fundit shpresojnë që sulmuesi i dalë nga Vllaznia të kthehet te “foleja” e vet. Ashtu sikurse duan që tërë shkodranët e tjerë, të cilët japin kontributin e tyre për ekipe shqiptare, të vishen kuqeblu sezonin e ardhshëm. Sepse këtë fanellë nuk mund të ndiej një lojtar i huaj sa një vendali. “Ndeshja e fundit dhe mbase rikthim tek ekipi kuq e blu,” – shkruante Sukaj, para fillimit të ndeshjes së fundit me ekipin iranian, para se të shpallej kampion në këtë vend. Por, më pas duket se sulmuesi ka ndryshuar paksa mendje. Ndërkohë i pyetur nga telesport.al nëse vërtetë ekziston mundësia e rikthimit tek Vllaznia, ai është shprehur: “Nuk është e sigurtë se do të rikthehem te Vllaznia, por kam shprehur thjesht një dëshirë. Tani për tani nuk e di se çfarë do të ndodhë. Përsa i përket Sepahanit, dua të them se është një ekip që më ka dhënë gjithçka, më ka respektuar më shumë se Vllaznia, ku u bëra futbollist. Por, këtu në Iran i kam fituar të gjitha, ndaj gjykoj se është momenti i përshtatshëm për të lëvizur.Dje festuam titullin kampion dhe tifozët e Sepahanit më kërkonin që të mos largohesha. Kjo gjë më ka bërë që të reflektoj, të mendohem sërish çfarë të bëj. Në fakt jo vetëm tifozët nuk duan largimin tim, por edhe drejtuesit e ekipit, pasi dje nuk ma dhanë pasaportën. Këtë veprim s’e kanë bërë për presion, të kuptohemi, por si një gjest simbolik por për të mos u larguar. Sepehani kërkon të mbajë edhe për sezonin e ardhshëm,” – pohon Sukaj në një komunikim përmes “Facebook-ut.
Tifozët kuqeblu mezi e presin në Shkodër, por a ka ndonjë kontakt futbollisti në fjalë me drejtuesit kuqeblu? Vetë Sukaj përgjigjet: “T’ju them të vërtetën nuk e di se cilët janë drejtuesit e Vllaznisë aktualisht dhe nuk kam kontaktuar me askënd prej tyre. Besoj se për t’u rikthyer te Vllaznia s’kam nevojë të kontaktoj me ndokënd, sepse bëhet fjalë për shtëpinë time. Në Shkodër e dinë mirë se djalit të shtëpisë duhet t’ia hapësh derën, edhe pse para 4 vitesh drejtuesit e asaj kohe të Vllaznisë më thanë të largohesha. Gjithsesi, mendoj se ka ikur ajo kohë.”Gjithsesi, një ditë do të rikthehet në vendin e tij dhe ta mbyllë karrierën në Shqipëri. Dhe kur i përmend këtë moment të pashmangshëm, 27-vjeçari flet me garanci të plotë për diçka: nuk do të luajë për asnjë ekip tjetër shqiptar, përveç Vllaznisë. “Ju them tifozëve të Vllaznisë se Sukaj nuk u tradhëton asnjëherë për ndonjë ekip tjetër shqiptar. Kurrë s’e kam menduar që kur të rikthehem të shkoj te një ekip tjetër, jo i vendlindjes sime. Nëse kthehem, do të luaj vetëm për Vllazninë,” – shton sulmuesi.
© shkodrasport.com