Në të gjitha ndeshjet që kur ka mbërritur tek kjo skuadër, ai ka luajtur. Ndonëse ende jo si titullar, sërish ka dhënë kontributin e tij për skuadrën Sepahan. E kemi fjalën për sulmuesin shkodran Xhevahir Sukaj i cili edhe në ndeshjen e fundit ndaj ekipit Saipa, një nga më të mirat e kampionatit iranian, ka luajtur rreth 20 minuta duke dhënë kontributin e tij në fitoren 2-1 të skuadrës ku luan ai- Sepahan. Ndonëse ende nuk ka shënuar, që me ardhjen e Sukajt në rradhët e saj, Sepahan ka patur një ecuri shumë të mirë në kampionat teksa nga vendi i tretë ka kaluar tashmë në të parin, madje është shkëputur 5 pikë nga ndjekësja e saj më të e afërt.

“Ecuria jonë ka qenë e shkëlqyer në këto javët e fundit. Kemi marrë pikët maksimale në ndeshjet e fundit dhe prandaj jemi të parët, të shkëputur 5 pikë nga vendi i dytë. Kampionati do edhe 8 javë për të mbaruar. Jemi në rrugë të mbarë për t’u shpallur kampion, por të mos harrojmë se kemi edhe Champions League të Azisë ku drejtuesit e klubit pretendojnë ta fitojnë sivjet. Do jetë një lodhje e madhe për ekipin për të përballur këtë ritëm deri në fund në të dy frontet, por besoj se do ia dalim. Sa më takon mua, po luaj rregullisht dhe kjo ka shumë rëndësi. Unë prandaj jam në Iran për të luajtur futboll dhe për të fituar paratë që kam të shkruar në kontratë”-ka thënë ekskluzivisht për gazetën online www.shkodrasport.com Xhevahir Sukaj. Në të vërtetë, ai ka shkuar deri atje për të luajtur dhe për të fituar para. KOntrata e tij është shumë e leverdisshme me 350 mijë dollarë për 18 muaj, plus bonuset e tjera dhe Xhevoja duket se këtë herë ka vendosur të ulë kryet dhe të përkushtohet seriozisht në stërvitje dhe ndeshje. Talenti nuk i ka munguar asnjëherë këtij sulmuesi.

www.shkodrasport.com

Ne foto, Xhevahir Sukaj ne ndeshjen e fundit Sepahan- Saipa 2-1