Fundi i merkatos ka prodhuar lëvizje të shumta te Laçi, kryesisht në fazën sulmuese. Kurbinasit kanë humbur një nga “xhevahirët” e skuadrës, Myrto Uzuni, që e shitën në Kroaci, por besoj se të ardhurit do ta mbushin shpejt gropën e krijuar.
Surpriza e presidentit Pashk Laska në fund të merkatos ishte bindja e Xhevahir Sukajt që të vishet bardhezi në sezonin 2017-2018. Bëhet fjalë për një sulmues me eksperiencë dhe nëse gëzon formën optimale, pa dyshim suksesi është i garantuar.
Sukaj ka nisur së fundmi përgatitjet me kurbinasit, por shkodrani është në luftë me kohën për të qenë gati. Duke qenë se në tre muajt e fundit ka qenë pa skuadër dhe është përgatitur në mënyrë individuale, duhet kohë që ai të kapë formën optimale.
Sukaj vërtet ka nisur përgatitjet, por gjasat janë që ai të mos debutojë me fanellën e Laçit në ndeshjen e radhës, ku përballë do të kenë Partizanin.
Kështu që shanset janë të pakta që Sukaj të përballet që tani me ish-skuadrën e kuqe. Nëse gjërat ecin mbarë, sulmuesi mund të jetë i gatshëm për trajnerin Mërgjyshi në fund të shtatorit.