Ka mbërritur dje në Shkodër dhe sot ka qenë i pranishëm në stërvitjen e Vllaznisë. Bëhet fjalë për sulmuesin shkodran Xhevahir Sukaj që luan në Iran me Sepahanin. Ai ka shfrytëzuar një ndërprerje të kampionatit të këtij vendi dhe ka marrë një leje treditore për të ardhur në Shqipëri pranë familjes së tij. Por kur vjen në Shkodër sigurisht që ai nuk mund të qëndrojë larg skuadrës së tij të zemrës dhe shokëve të tij futbollistë.
Për rrjedhojë, në seancën e pasdites së sotme, ai ka qenë i pranishëm në fushën stërvitore “Reshit Rusi” teksa është përshëndetur me trajnerin Bushati por edhe me futbollistët e tjerë që janë pjesë e saj dhe që ai ka luajtur më parë me to. Prania e Sukajt në stërvitje sigurisht që ka qenë edhe për të parë të vëllanë- Suadin, portierin e ekipit të të rinjve që stërvitet me ekipin e parë të Vllaznisë. Xhevahir Sukaj në fakt sot duhej të ishte në Norvegji me kombëtaren shqiptare por ndonëse ai po kalon një formë shumë të mirë sportive, nuk është preferuar nga ana e trajnerit De Biazi as këtë herë. Vetë sulmuesi 25 vjeçar ka preferuar që të mos bëjë polemika por ka vazhduar të bëjë punën e tij ndoshta për të pritur ndonjë rast tjetër.
Gjergj KOLA