Xhevahir Sukaj ka vazhduar aventurën në kampionatin shqiptar, por këtë herë me një tjetër ekip.

Sulmuesi 30-vjeçar e mbylli me shkodranët pasi ranë në Kategorinë e Parë dhe do të mbrojë ngjyrat bardhezi të Laçit.

Lojtari ka konfirmuar për “Panorama Sport” nënshkrimin e kontratës me kurbinasit, që drejtohen nga Artan Mërgjyshi.

“Po, sapo e mbylla me klubin e Laçit. I falënderoj për besimin drejtuesit”- pohoi shkodrani.

Sukaj ishte pranë kalimit në Serinë C, por në fund vendosi që të qëndronte në Superiore me një tjetër ekip, tashmë me Laçin.

30-vjeçari ka një CV të pasur, pasi ka luajtur me ekipe me emër jashtë dhe brenda kampionatit shqiptar.

Para se të bashkohej me ekipin ku u rrit (Vllazninë), ai ka luajtur me Partizanin dhe me ekipin Perak FA për gjysmë sezoni në Malajzi.

Në kampionatin vendas ai ka luajtur me Vllazninë, Elbasanin, Partizanin dhe së fundmi do të veshë fanellën e kurbinasve, ndërsa jashtë është aktivizuar me ekipe si Hacettepe, Orduspor, Ismaily, NK Zagreb, Sepahan dhe Perak. /EDS/