Sulmuesi shkodran Xhevahir Sukaj vazhdon të mos heqë dorë nga ideja e kthimit të tij tek Vllaznia në fund të këtij sezoni. Një ide e tillë është shumë prezente në mendjen e tij pavarësisht se po luan rregullisht me ekipin e tij Sepahan në Iran, po shënon dhe pritet të fitojë trofe të rëndësishme siç është Liga e Kampioneve e Azisë dhe titull kampion i Iranit. Në një intervistë ekskluzive për gazetën online www.shkodrasport.com, ai ka folur për gjithçka që ka të bëjë me ecurinë e tij në Azinë e largët por edhe dëshirën e madhe për t’u rikthyer në Shkodër. Ja intervista e tij dhënë për gazetën tonë:

-Sukaj, një tjetër gol për Sepahan. Duket se tashmë e mësuat rrugën për të shkuar tek ai?

-Goli që shënova në ndeshjen e fundit më ka dhënë shumë kënaqësi. Kjo sepse u shënua në minutat e fundit të ndeshjes, atëherë kur rezultati ishte 1-1 dhe me atë gol i dhashë fitoren skuadrës time. Një fitore që na ka gëzuar së tepërmi të gjithëve ne sepse tashmë jemi shumë pranë titullit kampion. Në fakt nuk është se kam shënuar shumë gola por ka patur më tepër raste të humbura, shtylla. Madje edhe në ndeshjen e fundit para se të shënojë humba dy raste të tjera dhe në fakt mendova se do isha sërish i pafat por nuk ndodhi kështu. Goli erdhi dhe kjo më ka entuziasmuar.

-Si u prit ky gol nga trajneri, shokët e ekipit dhe tifozët?

-Goli dhe fitorja janë pritur në mënyrë të jashtëzakonshme. Ka qenë ndeshja më e vështirë e ekipit tonë dhe shumëkush nuk mendonte se do fitonim. Madje ekipi rival që na ndjek në renditje, e kishte bërë fakt të kryer këtë gjë, aq më tepër që në fushën e Folad problemi më i madh ishte temperatura e lartë në të cilën u luajt ndeshja, 40 gradë, por ne ia dolëm. Për këtë arsye, kemi festuar gjatë pas asaj fitore.

-Edhe sa ndeshje kanë mbetur deri në përfundim të kampionatit?

-Kanë mbetur edhe tre ndeshje dhe ne udhëheqim renditjen me tre pikë. Por fitorja e fundit na ka dhënë shumë krahë dhe me shumë mundësi Sepahani është kampion edhe këtë vit. Kemi dy ndeshje brenda për të luajtur ndërkohë që të fundit nuk do ta luajmë sepse skuadra me të cilën duhej të ndesheshim, është tërhequr nga kampionati. Në këtë mënyrë, vetëm me një fitore ne jemi kampionë sepse edhe nëse barazohemi me pikë me skuadrën e vendit të dytë, sërish shpallemi kampionë ngaqë kemi bilanc më të mirë me të.

-Po në Ligën e Kampioneve të Azisë, në çfarë vendi është Sepahani?

-Jemi në vend të parë me pikë të barabarta me Al Ehly me nga 7 pikë por këtë skuadër e presim në fushën tonë në ndeshjen e fundit. Janë edhe dy ndeshje për t’u luajtur teksa tjetrën e kemi jashtë me Al Nasr të Dubait. Duke qenë se dalin dy skuadra nga skuadra për në tetëshe, thuajse e kemi të sigurtë kalimin e këtij turi madje ne shohim shumë më larg sesa kaq.

-Shumë pranë trofeve të rëndëishëm në Azi megjithatë duket ju juve ju ngacmon shumë ideja e kthimit tek Vllaznia. Keni sërish të njëjtin mendim për t’u kthyer?

-Po më pëlqen kjo ide sepse jam i lidhur shumë me Shkodrën, me Vllazninë. Nëse do vendos për ta lënë përfundimisht Iranin, të jeni të bindur se heq dorë nga shumë gjëra këtu. Nga pagesa shumë të larta, nga një nivel futbolli më i lartë, nga Liga e Kampioneve dhe gjëra të tjera. Por, e përsëris, Vllaznia më ngacmon.

-Keni patur ndonjë kontakt apo ofertë nga drejtuesit e Vllaznisë?

-Kam patur një bisedë paraprake me një drejtues të Vllaznisë. Ai më ka shprehur dëshirën për të më patur në skuadër sezonin e ardhshëm ngaqë dëshirojnë të ndërtojnë një skuadër pretendente. Sigurisht që edhe unë e dëshiroj një gjë të tillë por biseda është lënë e hapur.

-Ju, mund ta ndërprisni kontratën me Sepahanin?

-Ua kam shpjeguar edhe njëherë tjetër po për gazetën tuaj. E kam të shkruar në kontratë, nëse kthej 34 mijë dollarë, klubi më lë të lirë.

-Pra, nëse Vllaznia është e gatshme ta paguajë këtë shumë, ju ktheheni në Shkodër?

-Nuk dua ta gjykoj kështu këtë çështje. Drejtuesit e Vllaznisë të më bëjnë një ofertë të mirë (diçka më të mirë se ajo që më bënë në nëntor para se të largohesha) dhe unë e marr përsipër vetë me financat e mia prishjen e kontratës me iranianët dhe pagimin e dëmshpërblimit.

-Mund të bëhet kjo?

-Nëse drejtuesit e Vllaznisë kanë dëshirë të ndërtojë një skuadër për kampione, sigurisht që bëhet.

-Çfarë kushti tjetër u keni vënë drejtuesve të Vllaznisë për t’u kthyer?

-Kushti i vetëm që mund t’u kërkoj unë është të marrin 4-5 lojtarë cilësorë dhe të ndërtojmë një skuadër për titull. E kam një ëndërr të madhe të shpallem kampion me Vllazninë. E kam thënë edhe më parë, unë jam i gatshëm të vij, aq më tepër që me shumë mundësi mund të më japin edhe shiritin e kapitenit.

-Për tifozët kuqeblu, mund të jetë kjo një ëndërr e bukur e një nate pranvere?

-Nëse ka dëshirë dhe vullnet, ëndërra mund të bëhet realitet dhe unë dëshiroj të bëhet. Nuk ka ndonjë pengesë të madhe. Dëshirë nga të gjitha palët dhe vetëm kaq. Ashtu siç mund të sakrifikoj unë, edhe të tjerët duhet të bëjnë më të mirën për Vllazninë dhe ajo patjetër që mund të jetë kampione.

Gjergj KOLA