Xhevahir Sukaj është bërë protagonist absolut në fitoren e trofeut të Kupës së Iranit. Bashkë me shqiptarin tjetër Ervin Bulku, kanë luajtur si titullarë në finalen e djeshme ndaj Persepolis, të fituar me penallti 4-2. Në fakt, koha e rregullt përfundoi barazim 1-1 me gola të Karim Ansarifard për Persepolis dhe Sukajt për Sepehanin. Më pas ishin sërish miqtë ata që kaluan në avantazh me anë të Nouri në minutën e 98-të, teksa Gholami, i cili në minutën e 69-të pat zëvendësuar pikërisht Sukajn, arriti të baraspeshojë gjithçka në minutën e 106-të.

Pas 120 minutash lojë, të dyja skuadrat shkojnë te penalltitë, ku i pari për Sepahanin gjuajti Bulku: portieri në njërin krah, topi në tjetrin. Më pas lojtarët e Persepolis gabuan dy penallti, mjaftueshëm që skuadra e dy shqiptarëve t’i gëzohej trofeut të kupës, pa u dashur që të gjuante edhe penalltinë e pestë. Në këtë mënyrë trofetë për Sukajn shtohen në Iran. Pasi është shpallur kampion i këtij vendi sezonin e kaluar, tashmë vjen edhe trofeu i kupës dhe në këtë mënyrë mund të ketë sërish të tjerë trofe pasi Sepahani kërkon edhe titullin kampion këtë sezon.
www.shkodrasport.com