Sulmuesi shkodran Xhevahir Sukaj shënon sërish. E ka bërë këtë gjë edhe në ndeshjen e sotme teksa ka shënuar një gol shumë të rëndësishëm me vlerë trepikësh për Sepahanin. 25 vjeçari ka shënuar në minutën e 81-të të ndeshjes golin e vetëm të saj dhe skuadra e tij ka mundur kësisoj 1-0 ekipin Rah Ahan. Ndeshja në fakt u duk se po shkonte drejt barazimit pa gola por nuk do mendonte kështu Sukaj që 9 minuta para fundit të ndeshjes, ka shënuar një gol me mjaft vlera.

Gol ky që i ka dhënë tre pikë Sepahanit i cili pas javës së 25-të të kampionatit, ndodhet në vendin e dytë të renditjes në kampionatin iranian të futbollit me 47 pikë duke qenë gjithnjë në ndjekje të skuadrës kryesuese Esteghlal Teheran me dy pikë më shumë. Ndeshja është luajtur pasditen e sotme dhe ka qenë shumë e rëndësishme për Sepahanin, skuadrën ku luan sulmuesi shkodran, në mënyrë që ajo të mos i ndahet kreut. Goli i sotëm është i nënti për të në kampionatin aktual, çka tregon për formën shumë të mirë sportive që ai po kalon, paçka se ende nuk e ka bindur trajnerin e kombëtares De Biazi t’i bëjë një ftesë, të paktën për ndeshjet miqësore.
www.shkodrasport.com