Sulmuesi shkodran Xhevahir Sukaj ka shënuar sërish për skuadrën e tij Sepahan. Në ndeshjen e luajtur pasditen e sotme e vlefshme për kampionatin iranian të futbollit në mes ekipit Folad dhe Sepahan, ai ka shënuar pikërisht në minutën e 85-të të ndeshjes, gol që ka qenë i dyti për skuadrën e tij dhe njëkohësisht i fitores. Deri në ato momente ndeshja ka qenë në barazim 1-1. Sukaj ka rrëmbyer një top nga lojtarët kundërshtarë, ka vrapuar i vetëm drejt zonës dhe përballë 3-4 mbrojtësve, ka arritur të godasë saktë me të majtën dhe ta dërgojë topin në rrjetë. Sigurisht që entuziasmi ka qenë i madh për Sukajn, për futbollistët e tjerë të skuadrës së tij por edhe për trajnerin Kranjçar.
Ka qenë ky i fundit që ka insistuar për ta marrë këtë lojtar në merkaton e janarit dhe ai po ia shpërblen në mënyrën më të mirë të mundshme. Sukaj përveçse ka shënuar golin e fitores në takimin e sotëm, ka qenë protagonist edhe në 2-3 raste të tjera ku ndoshta mungesa e fatit nuk e ka lejuar atë të shënojë ndonjë gol tjetër. Me këtë fitore, Sepahan vazhdon të jetë në vendin e parë në renditje dhe është shumë pranë shpalljes kampion. Skuadra iraniane mban edhe vendin e parë edhe në Ligën e Kampioneve të Azisë me 7 pikë të grumbulluara pas 4 ndeshjesh të luajtura.
www.shkodrasport.com