Sulmuesi i talentuar shkodran Xhevahir Sukaj ka shënuar sërish për skuadrën e tij iraniane Sepahan. Ka ndodhur kështu pasditen e sotme teksa ai ka kontribuar në fitoren e skuadrës së tij 3-0 ndaj Al Nasri të Dubait, në ndeshjen e luajtur për Champions League të Azisë.Sukaj ka kontribuar në fitoren e skuadrës së tij teksa ka shënuar golin e dytë pikërisht në minutën e 77-të të ndeshjes. Po ashtu, ka fituar edhe një 11-metërsh gjatë kësaj ndeshje duke u shndërruar kështu në protagonistin kryesor për Sepahanin. Me fitoren e sotme, kjo skuadër është ngjitur në kuotën e 10 pikëve pas 5 ndeshjesh dhe tashmë ka siguruar daljen në 8-shen e skuadrave më të mira të Azisë që do luftojnë me njëra-tjetrën për të fituar Champions Leaguen e këtij kontinenti.
Sepahan ka për të luajtur edhe një ndeshje të fundit me Al Ehly në Iran dhe do kërkojë fitoren për të siguruar vendin e parë në grup. Në këtë mënyrë, Sukaj vazhdon të luajë me shumë sukses për këtë skuadër duke dhënë një kontribut të madh drejt shpalljes së saj kampione të Iranit dhe është në rrugë të mbarë edhe për fitoren e trofeut më të rëndësishëm kontinental. Goli i sotëm flet vetë për rëndësinë e këtij lojtari në skemat dhe formacionin e trajnerit Kranjçar.
Gjergj KOLA