Partizani fitoi dje kundër Teutës me rezultatin 2-1. Fitorja mbyll çdo gojë, ama në protokollin e djeshëm të ndeshje ra në sy mungesa e sulmuesit Xhevahir Sukaj. 30-vjeçari nuk ishte grumbulluar nga trajneri Sulejman Starova për këtë sfidë, ndërsa i pyetur nga gazetarët për sulmuesin, 61-vjeçari dha një përgjigje jo shumë bindëse. “Sukaj? Ai është me grip më duket, kush e merr vesh çfarë ka?”, – u përgjigj tekniku Starova.
Në fakt, portali Eduasportin.com zbulon arsyen e vërtetë se pse Sukaj nuk u grumbullua dje. Shkodrani ka pasur debate të forta me drejtuesit e klubit që kanë ngritur shumë pikëpyetje për të ardhmen e tij. Burime të besueshme pranë lojtarit, bëjnë me dije se Sukaj ka shkëmbyer fjalë të rënda me kupolën drejtuese të klubit. Të njëjtat burime bëjnë me dije edhe arsyen e vërtetë se pse shkodrani ka bërë fjalë me drejtuesit. Ai ka pasur bisedime me ekipin e Tiranës. Sukaj, duke parë situatën te skuadra e Partizanit, po mendon për një alternativë më të mirë për veten. Bardheblutë janë gati për ta pritur sulmuesin shkodran. Drejtuesit e kuq janë vënë në dijeni të këtyre bisedimeve dhe i kanë kërkuar llogari sulmuesit. Ky i fundit, sigurisht që nuk ka lëshuar pe, pasi njihet për karakterin e tij të ashpër.Palët janë të acaruara dhe rrugët e tyre mund të ndahen që në janar. Në këtë mes ndikojnë edhe relatat aspak të mira mes tij dhe trajnerit Starova.