Ditën e djeshme sulmuesi shkodran Xhevahir Sukaj ka qenë në Vlorë. Burime të ndryshme e konfirmojnë këtë gjë por ende nuk është shumë e qartë nëse ai është takuar me drejtuesit e Flamurtarit apo jo. Fakti që ka shkuar në Vlorë, në qytetin ku e duan ta kenë në skuadrën e tyre, lë një shteg hapur për mundësinë e kontakteve të tjera mes palëve. Në fakt, ka qenë ish-trajneri i vlonjatëve Edmond Lutaj ai që e kërkoi me ngulm Sukaj pak kohë më parë, madje ishte i gatshëm t’i jepte Vllaznisë 2-3 lojtarë vetëm e vetëm që të kishte shërbimet e tij.
Në atë periudhë, pat patur edhe një bisedë të Sukajt me drejtuesit vlonjatë madje këta të fundit hynë në bisedime me ata të Vllaznisë për mundësinë e këmbimit të Sukajt me lojtarë të veçantë. Flamurtari ofronte Brahjen dhe Brkiç për të marrë sulmuesin kuqeblu ndërsa Vllaznia për këtë shkëmbim donte Rajoviç dhe Lenën. Në kushte të tilla nuk u bë asgjë e mundur megjithatë eksizton sërish mundësia e veshjes kuqezi të sulmuesit shkodran edhe pas ardhjes së trajnerit Muça pavarësisht se ai ka kërkuar Pejiçin. Fakti që dje Sukaj ka qenë në Vlorë, ka shumë mistere brenda. Me shumë mundësi, ka dalë sërish në plan marrja e këtij lojtari nga Flamurtari dhe kjo mund të bëhet edhe pa këmbim lojtarësh. Mjafton që vlonjatët t’i paguajnë Vllaznisë 50 mijë dhe kjo lëvizje kryhet.