Sukaj vite më parë dhe Skuka tani. Përveç muzikalitetit të emrave, kanë edhe të tjera të përbashkëta. Para disa vitesh, Sukaj shënonte dhe ishte ndër më të mirët te Partizani dhe të njëjtën gjë po e bën tani Skuka, i cili është shndërruar në një lojtar kyç te “demat”.
Në një intervistë për “Panorama Sport”, ish-sulmuesi shkodran, Xhevahir Sukaj, ka folur për Skukën, i cili ia ka marrë vëmendjen në ndeshjet e fundit, por sipas tij, vazhdimësia do ta konfirmonte dibranin mes më të mirëve.
Si ju duket Skuka te Partizani dhe a e ka ai cilësinë për të bërë diferencën në kampionatin shqiptar?
Skuka është shfaqur në formë shumë të mirë në ndeshjet e fundit, që kur është bërë pjesë e Partizanit. Me atë që ka treguar në fushë të tërheq ta ndjekësh dhe ta merr vëmendjen. Por, ky është vetëm fillimi për të te Partizani. Sapo ka ardhur të luajë në Kategorinë Superiore dhe gjithmonë për të bërë diferencën duhet që lojtari të ketë vazhdimësi. Prandaj unë jam i mendimit se atij duhet t’i japim kohë për të parë nëse mund ta bëjë diferencën në ligën tonë, apo do të jetë e kundërta.
A ju duket Skuka numri 9 më i mirë i Partizanit që pas largimit tuaj nga të kuqtë?
Për momentin nuk mund ta gjykoj, sepse është shumë shpejt për ta bërë këtë. Por, shpresoj me gjithë zemër të jetë më i miri për t’i shërbyer Partizanit, që e ka pa dyshim të domosdoshme për të pasur një numër 9 rezultativ, por edhe për veten e tij, që të ketë një karrierë të suksesshme dhe pse jo në të ardhmen të sigurojë një transferim jashtë vendit, në një kampionat më të fortë.
Me aq sa keni parë, çfarë ka Partizani më pak se skuadrat e tjera në renditje, që ndodhen sipër saj?
Të them të drejtën, impenjimet e mia nuk ma kanë dhënë luksin ta ndjek rregullisht këtë sezon të Kategorisë Superiore. Jam munduar të jem sa më i interesuar dhe me ato që kam parë, skuadrat nuk mendoj se kanë diferenca të mëdha me njëra-tjetrën. Nuk e shoh një skuadër, që të tregojë se është në nivel shumë më të lartë se të tjerat.
A mund ta arrijë Partizani kualifikimin në kompeticionet europiane nga gara në kampionat?
Partizani duhet ta arrijë me patjetër kualifikimin në Europë. Është një nga klubet me të mëdha, por edhe më të investuar financiarisht dhe shpërblimi i vetëm, që justifikon këto në fund, është kualifikimi në Europë. Mund ta arrijë edhe përmes Kupës, por duhet të luftojë fort për t’u kualifikuar nga kampionati. Kompeticioni i Kupës është shumë pragmatist dhe nuk të jep garanci për sukses. Nëse Partizani nuk e kap Europën, pa dyshim do të ishte sezon i dështuar.
Si ju është dukur ecuria e Vllaznisë deri më tani në Superiore?
Vllaznia dje, sot dhe mot është bukuria e kampionatit shqiptar. Pa Vllazni, s’ka futboll në Shqipëri. Pavarësisht se nuk janë në vendin e duhur në renditje, janë një ekip, që luan shumë bukur futboll. Çdo ekip e ka shumë të vështirë të luajë kundër Vllaznisë në këtë sezon.