I ka rezultuar me fat sulmuesit shkodran përjashtimi nga Vllaznia një vit më parë. Kalimi tek skuadra iraniane e Sepahanit po kthehet në një nga sukseset më të mëdha të karrierës së tij. 25 vjeçari shkodran duket se ka ndër mend të qëndrojë gjatë tek kjo skuadër teksa ditët e fundit e ka rinovuar kontratën me të. Lajmi është bërë i ditur nga vetë lojtari nga Irani i largët. Ai ka rinovuar edhe për dy vite të tjera, çka do të thotë se deri në vitin 2015, do të vazhdojë të luajë me Sepahanin.

Një nga arsyet pse e ka shtyrë Sukajn të hedhë firmë në këtë kontratë të re është edhe ana financiare sepse mendohet që sulmuesi shkodrane të përfitojë rreth 700 mijë dollarë për dy vitet e ardhshme. Përpos kësaj, ai ka vendosur të qëndrojë edhe për dy sezone të tjera në këtë skuadër sepse ajo i ka dhuruar emocione të mëdha deri tani. Titulli kampion që fitoi me të sezonin e kaluar, i ka dhënë një kënaqësi të veçantë në një qytet prej 4 milionë banorësh. Në këtë mënyrë, në Iran Xhevahir Sukaj ka arritur atë që nuk e arriti dot asnjëherë me Vllazninë e tij, titullin kampion. Nëse në Shkodër ka patur ndonjë shpresë për një rikthim të mundshëm të tij në fund të këtij sezoni, tashmë këto shpresa kanë marrë fund. Edhe për dy sezone do jetë pjesë e Sepahanit me të cilin do të kërkojë të tjerë tituj kampion. Paraqitjet e tij kanë qenë të mira në kampionatin e këtij vendi teksa shpeshherë është shfaqur si protagonist me golat e shënuar dhe pikërisht kjo paraqitje e mirë e tij, i ka bërë drejtuesit e klubit iranian t’i ofrojnë rinovimin e kontratës, atëherë kur në adresë të tij patën ardhur oferta edhe nga Polonia dhe Austria megjithatë tashmë çdo gjë është mbyllur. Xhevahir Sukaj deri në vitin 2015 do të vazhdojë të luajë në Iran me skuadrën e Sepahanit.

www.shkodrasport.com