Prej gati dy muajsh që ka marrë përsipër të drejtojë Vllazninë (në rolin e kryetarit të Bordit Mbikëqyrës të saj), Xhevdet Amuli ka shpenzuar jo pak kohë për të. Duke lënë mënjanë edhe biznesin e tij ashtu si dhe anëtarët e tjerë të këtij Bordi të cilët po bëjnë më të mirën e mundshme që skuadra të mos ketë asnjë problem dhe të ecë përpara. Amuli ndjek stërvitjen e ekipit edhe në Ulqin dhe bisedon me drejtuesit e tij për të parë se çfarë shkon ashtu si duhet dhe çfarë nuk shkon.
Dy ditë më parë ka qenë atje bashkë me dy anëtarët e tjerë të Bordit, Luan Hetën dhe Xhemal Bushatin dhe kanë parë nga afër gjithçka që kishte të bënte me skuadrën e tyre. Krytari i Bordit flet me optimizëm për të ardhmen e kuqebluve kur për gazetën do të jepte këtë intervistë:
-Amuli, nuk po mungoni të ndiqni ekipin edhe në Ulqin. Si po shkojnë përgatitjet sipas jush?
-Mendoj që mirë sepse kushtet atje janë të përshtatshme për të zhvilluar një stërvitje intensive. Për këtë arsye, madje kemi vendosur që ta shtyjmë qëndrimin e ekipit në Ulqin deri përpara ndeshjes me Kukësin në mënyrë që skuadra të përgatitet ashtu si duhet për këtë takim shumë të rëndësishëm.
-Megjithatë është larguar Kruja. A ishte zgjedhja e duhur për ta lënë këtë futbollist të largohet?
-Të them të drejtën nuk kam qenë shumë entuziast për ta lejuar këtë futbollist të largohet dhe aq më tepër për një ofertë të tillë. Por duke parë dëshirën e futbollistët për të shkuar në Arabi, vendosëm të mos e pengojmë duke i uruar sukses në karrierën e tij. Them se marrëveshja përfundimtare me klubin arab do mbyllet për pak orë dhe lojtari do të nisë kështu një aventurë të re.
-Nuk ka ardhur ende as Soza. Prish planet kjo gjë?
-Ne e kemi pritur të vinte që para dy ditësh por për disa procedura, do mbërrijë të shtunën (nesër) bashkë me tre futbollistë të tjerë uruguajanë që do jenë në provë për disa ditë. Kjo vonesë e Sozës mund të ndikojë pak në formën e tij por besoj se shumë shpejt do ta rikuperojë këtë gjë.
-Do vijnë uruguajanë por në fakt ishin edhe disa të tjerë të huaj për provë që u larguan sepse rezultuan të panevojshëm. Do kenë edhe ata fatin e tyre?
-Pesë lojtarët që ishin në provë të mërkurën, dy kosovarët, dy malazezët dhe futbollisti tiranas nuk bënë një figurë të mirë duke mos rënë në sy aspak me formën e tyre. Në kushte të tilla, ne kuptohet që më mirë evidentojmë të rinjtë dhe jo më kot, edhe dy futbollistë të tjerë, Dyca e Kabuni nga ekipi U-19 i janë bashkuar skuadrës në stërvitje tashmë.
-Do tentojë deri në fund të merkatos Vllaznia për të marrë edhe lojtarë të tjerë?
-Nuk e besoj. Siç dihet në këtë periudhë të sezonit është e vështirë të gjesh lojtarë cilësorë që janë pa kontratë me klubet e tjera. Nëse edhe uruguajanët nuk rezultojnë të vlefshëm, do të mbështetemi tek të rinjtë tanë sepse kanë më shumë vlera dhe garantojnë shumë për të ardhmen.
-Si e konsideroni ecurinë e Vllaznisë në gjysmën e dytë të sezonit?
-Besoj se do të jetë e mirë dhe mbi të gjitha nuk do të ekzistojnë problemet që kanë qenë në gjysmën e parë. Për këtë, ne si Bord jemi të angazhuar maksimalisht për të bërë më të mirën dhe jam i bindur se Vllaznia ka për të qenë në një pozicion komod në renditje në fund të kampionatit.
-Po në Kupën e Shqipërisë, do të ketë pretendime skuadra?
-Patjetër. Ndeshjen e parë e kemi me Kukësin në Shkodër dhe do bëjmë maksimumin për të marrë një rezultat sa më të mirë në mënyrë që të shpresojmë pastaj tek kualifikimi në ndeshjen e kthimit. Dëshira është e madhe, edhe mundësitë janë dhe pse jo, do të tentojmë deri në fund.
-Së fundi, folët për objektiva por nga ana financiare, si do të jetë e ardhmja e Vllaznisë?
– E garantuar. E kemi thënë dhe e përsërsim, deri në maj Vllaznia i ka të gjitha paratë që i duhen të sigurta nga ana e Bashkisë Shkodër.
Gjergj KOLA