Ne lidhje me ndryshimet ne pankinen shkodrane ka patur jo pak diskutime edhe ne studiot televizive. Gazetari Pano Xhixho, thotë se në kampionatin shqiptar nuk ka diferenca të mëdha mes skuadrave.

Xhixho deklaroi se koha po i jep të drejtë trajnerit të Partizanit, i cili disa javë më parë tha se nuk do të ketë një skuadër që të vrasë kampionatin.

“Kur e tha Kolela që kampionati nuk do ketë një skuadër që ta vrasë, u kritikua, por historia këtë ka treguar. Nuk ka diferenca mes skuadrave. Nëse nuk i njeh dy skuadra, nuk e kupton se kush është për titull dhe kush është për mbijetesë. Duhet të jemi të kujdesshëm, pasi ngremë në qiell një skuadër dhe pas 5 ditësh flasim për krizën e tij. Më mirë të analizojmë ndeshjet, sesa kampionatin”- ka deklaruar Xhixho.

Në lidhje me shkarkimin e trajnerit Josa nga Vllaznia, Xhixho tha se pankina e shkodranëve ka presion shumë të madh.

“Kjo ka ndodhur edhe sezonin e kaluar te Vllaznia. Pas Brdaric e mori Plori dhe më pas Josa kthehet dhe merr Kupën e Shqipërisë. Ky sezon ka një ndryshim. Këtë vit Vllaznia ka bërë afrime të rëndësishme, si Balaj në janar. Këtë vit duhet titulli. Edhe pankina e Vllaznisë ka një presion shumë të madh”- eshte shprehur ai.