Xhudisti shkodran Xhovan Shkoza është nderuar me medalje të artë në Turneun Ndërkombëtar të zhvilluar sot në Podgoricë të Malit të Zi. Ai ka zënë vendin e parë në peshën e tij, atë 55 kilogramë duke zhvilluar 4 ndeshje dhe duke i fituar të gjitha. Ky ka qenë një sukses i veçantë për xhudistët e klubit Vllaznia të cilët u përfaqësuan denjësisht në këtë turne shumë të rëndësishëm ku kanë marrë pjesë të gjithë ekipet e shteteve të Ballkanit dhe më gjerë. Sipas informacionit që jep për gazetën online www.shkodrasport.com trajneri i ekipit tonë kombëtar Anton Shkoza, paraqitja e sportistëve tanë ka qenë shumë e mirë.

Përveç Xhovan Shkozës ka patur edhe dy medalje të bronzta. Bëhet fjalë për dy sportistë të tjerë që kanë konkurruar edhe ato në kategorinë e pionerëve dhe pikërisht Roland Vasija që ka marrë pjesë në peshën 42 kg dhe është renditur i treti e po ashtu edhe Mihal Djaloshi në peshën 66 kg po i treti. Shqipëria është përfaqësuar në këtë turne me pesë sportistë ndërkohë që dy të tjerët, Luigj Shkoza dhe Rikard Nikaj kanë bërë edhe ato paraqitje të mira duke zënë vendet e pesta në peshat e tyre. “Mendoj se nuk është pak të marrësh tre medalje, një të artë dhe dy të bronzta në një turne të tillë shumë të fortë si ai që u zhvillua sot në Podgoricë”-ka thënë trajneri Anton Shkoza.
Gjergj KOLA