Xhudisti i Vllaznisë Xhovani Shkoza ka zënë vend të parë dhe ka marrë medalje ari në turneun ndërkombëtar të xhudos të zhvilluar sot në Split të Kroacisë. Turneu i emërtuar “Mario Zebiç” ka shënuar një pjesmarrje të madhe sportistësh nga shumë shtete të Ballkanit por edhe ekipe të tjera europiane. Shqipëria është përfaqësuar në të me tre sportistë. Kështu Reoland Vasija duke konkurruar në peshën 46 kg ka zënë vend të dytë me tre ndeshje të fituar dhe një të humbur në finale. Damian Çuni ndërkohë në peshën 38 kg ka zënë vend të tretë me dy ndeshje të fituar dhe një të humbur duke marrë kështu medalje bronzi.
Megjithatë paraqitjen më të mirë e ka bërë Xhovani Shkoza që në peshën 66 kg ka arritur të fitojë 4 ndeshje dhe me këtë paraqitje ka merituar vendin e parë dhe medaljen e artë në këtë turne të rëndësishëm ndërkombëtar. Sipas informacionit që na jep mjeshtri Anton Shkoza, ekipi i Vllaznisë është shoqëruar në këtë aktivitet nga zyrtari Gjon Marku ndërsa në rolin e përgjegjësit të ekipit ka qenë Luigj Shkoza. Një paraqitje e tillë e xhudistëve shkodranë tregon për nivelin e lartë që ato kanë.
Gjergj KOLA