“Nuk ka fitore pa sakrificë.” Kështu thotë xhudisti italian Marco Maddaloni, që garon për kombëtaren shqiptare, me shpresën që vitin e ardhshëm do të marrë pjesë në Lojërat Olimpike nën flamurin shqiptar. Idea për të përfaqësuar Shqipërinë lindi katër vjet më parë, kur u përjashtua nga Kombëtarja italiane.
Ashtu si shumë italianë të tjerë, edhe Maddaloni vlerësoi fjalët e Kryeministri Edi Rama. “Faleminderit Shqipëri! Ju më besuat, më mirëpritët me krahë të hapur dhe më dhatë një jetë të dytë sportive. Dhe pastaj sa herë që shkoja në Tiranë dhe Durrës, ndihesha sikur isha në shtëpi” – shkruan në Instagramin e tij Marco Maddaloni.
Ai vlerësoi dërgimin e 30 mjekëve dhe infermierëve shqiptarë, të cilët do të punojnë së bashku me kolegët italianë në llogoret kundër koronavirusit. Kjo e bën Maddalonin krenar, të lumtur që ka pasaportë shqiptare. Ai do të përpiqet të përfaqësojë Shqipërinë sa më mirë në arenën ndërkombëtare, me ëndrrën e madhe, të garojë në Tokyo 2021.
35-vjeçari nga Napoli ndihet edhe më shumë i motivuar pas gjestit unik që bëri Shqipëria në këtë situatë të vështirë të përhapjes së pandemisë Covid-19 në Itali. Maddaloni renditet i 180-i në botë në sportin e xhudos. Ai ndoqi rrugën e vëllait Pino, që në vitin 2000 mori medalje ari në Olimpiadën e Sidneit në Australi./konica.al/