Xhudisti shkodran Roland Vasija është shpallur kampion Ballkani. Një arritje shumë e madhe për këtë sportist por edhe për klubin Vllaznia, pjesë e të cilit ai është por edhe për Federatën Shqiptare të Xhudos.

Në peshën 60 kg ai ka sfiduar të gjithë konkurrentët duke zënë vendin e parë dhe duke marrë medaljen e artë.Ky kampionat është zhvilluar në Kavadarci të Maqedonisë dhe përveç medaljes së artë të shkodranit Vasija, ka qenë edhe tiranasi Indrit Çullhaj që është shpallur kampion Ballkani në peshën 66 kg.

Sakaq, tre shkodranë të tjerë kanë zënë vende të treta duke u ngjitur edhe ato në podium. Kështu, në garat e femrave, Aurora Shkoza në peshën 57 kg ka marrë medaljen e bronztë.

Po ashtu edhe Ylli Ujka i treti në peshën 81 kg si dhe Luigj Shkoza në 73 kg. Këto padyshim që janë arritje të mëdha për këtë sport duke pasë parasysh se ka patur edhe një medalje të argjendtë për Armando Mollosmanin në peshën 73 kg.

Gjashtë medalje të marra nga xhudistët tanë në këtë aktivitet të rëndësishëm ballkanik sigurisht që konsiderohen diçka shumë pozitive.

Për t’u veçuar kuptohet që është suksesi i Roland Vasisë i cili me medaljen e artë tregoi vlerat e veta si një sportist shumë cilësor dhe tashmë është edhe Kampion Ballkani.
© shkodrasport.com