Barcelona triumfoi me fitoren minimale ndaj Alavés (1-0, falë golit të Lewandowskit, i cili arriti në 18 gola në La Liga), por ajo që mbetet në kujtesë është veprimi spektakolar i Lamine Yamal. Talenti 17-vjeçar kaloi 6-7 kundërshtarë, duke nisur nga mesi i fushës, dhe asistoi për Raphinha, i cili gjuajti jashtë kuadratit kundërshtar, nga kufiri i zonës.
Pas ndeshjes, trajneri Hansi Flick e lavdëroi Yamal, por e mbrojti nga krahasimet me legjendat e së kaluarës: “Edhe sot tregoi se çfarë është i aftë të bëjë. Ishte një version shumë i mirë i repertorit të tij, është fantastike ta kemi në ekipin tonë.
Krahasime me Messin dhe Maradonën? Nuk më pëlqejnë shumë krahasimet. Lamine është shumë i talentuar, është një gjeni, ajo që bëri në disa aksione është e pabesueshme. Jam shumë i lumtur që luan për Barcelonën. Në moshën 17-vjeçare po shkon shumë mirë. E adhuroj këtë djalë”.
Hansi Flick u shfaq shumë i kënaqur me fitoren e ekipit të tij, veçanërisht pas humbjes së Real Madridit një natë më parë. Trajneri gjerman pranoi se kishte shumë presion mbi skuadrën e tij, por theksoi se u pa një version i shkëlqyer i Lamine Yamal. Ai gjithashtu shpjegoi se mjeku i ekipit e këshilloi që Gavi të mos vazhdonte lojën pas goditjes në kokë:
“Ishte një ndeshje e vështirë, me shumë punë të palodhur. Ishte shumë e rëndësishme të merrnim tri pikët, sidomos duke marrë parasysh rezultatin e djeshëm të Real Madridit. Pushimi mes pjesëve? Ua tregova lojtarëve hapësirat ku duhej të sulmonim, rëndësinë e mbajtjes së pozicioneve, kërkimin e lidhjeve të mira dhe pasimeve të shkurtra. Pjesa e dytë ishte shumë më e mirë.
Jam i lumtur me skuadrën, tentuan të shënonim, por nuk ishte e lehtë, sepse kundërshtari u mbrojt shumë mirë. Lewandowski është një numër 9 i shkëlqyer brenda zonës. Ishte shumë e rëndësishme që Robert shënoi në një ndeshje kaq të komplikuar.
Pjesa e parë u ndërpre shpesh për shkak të dëmtimeve, kjo nuk ndihmoi në ruajtjen e ritmit të lojës. Mendova se kishim nevojë për më shumë shpejtësi. Ronald Araújo kishte një karton të verdhë. De Jong është mjaft i mirë me topin, ka besim dhe na ndihmon shumë”.
Një gjykim edhe për humbjen e Real Madridit: “Sinqerisht, nuk e pashë ndeshjen e tyre (parmbrëmë). Është e vërtetë. Ditët e fundit kanë qenë stresuese dhe gjëja më e mirë ishte të shkoja për të fjetur. Të dielën në mëngjes e mora vesh përmes WhatsApp-it. Nuk më intereson situata e tyre, duhet të fokusohemi te vetja jonë. Ishte një ndeshje e vështirë, sepse Alavés mbrohet shumë mirë”./telesport/